Home » Letërsi » Lazër Shantoja » Vorr i harruem

Vorr i harruem

Vorr i harruem

E zbét mbí fâng[1] mjerije—n’ket bukrin muej të Prillit
Trishtueshëm âsht tue ramun—e mbramja rreze e diellit,
Nepër t’zymt’ qiparisa—qi mbí kto vorre t’qeta
N’heshtim të përfrigueshëm—mprojtuese deg’t e veta
Kan shtrî, prej flladit t’mbramjes—puth’, ndîhet lét fërshllima,
N’gjasim t’njaj lut’s s’trishtueshme—mrrîn n’vesh e uj’t gurg’llima;
E dielli tash n’e fikun—përshndet’ për t’mbramen herë,
Prej majeve mâ t’largta—kta kryqa t’zez e t’mjerë…
Dhe ty t’përshndet’ sot dielli—n’ket qoshe kaq t’harrueme
Tue t’falë, o rrasë e vogël—nji rreze t’vet t’prarueme;
Ku ty tash sà motmote—kurr peng dashtnije s’t’mrriti,
Ku ty kurrkush nji lule—pik’lodje kurr s’t’a qiti;
E ktu, krejt e braktisun,—ti shndritë, o rras’, n’heshtim
Nën tuba t’shërmashekut[2]—qi ndien për ty përdlim,
Qi t’rrokë, e me nji triskull[3]—njat vend o rras’, stolisë
Ku gjindet emni i bukur—i nji vash’s s’ré ravisë.
N’mâ t’bukrën mosh’ të jetës—q’at her’ kúr gjaku vlon,
E bukur ishe, o vash’—qi nën ket rras’ pushon;
E bukur ishe e e kandshme—e plot me shpres’, haré
Nji rrug’ shtrue krejt me lule—ty t’prîte n’jet’ të ré,
Prej syve t’ú qi shndritshin me njyre t’fjordalizit[4]
I dlírt t’shkëlqente shpirti—ambël vegim Parrizit!…
Shkëlqente besa e zemrës—të cilën ên’ mashtrimi
S’e kishte prek’ me t’ftoftin—aft[5] t’vet porsi akullimi.
Kshtu ti besove, e i ambël—porsi armoní qiellore
T’tinglloi, o vash’, ty zâni—i atij qi nji dashtnore
Bes’ të pat dhân’ me fjalë!…—O e lumja vashë, e lume!
Qi kurr ty gnjimi t’pastrat—s’ká për t’trazuemun gjume,
As kurr mâ s’ké me pámun—si n’gjire t’jet’s kujtime
Hupin t’shêjtnueshme, e s’mbahen—as besa mâ, as prêmtime;
E si n’ket jet’ shum hera—besa s’ká t’gjatun n’veti,
Msá ‘i gjurmë e léht mjes pellgut—qi fshin me shkulme deti!…
E prá kúr ti mâ s’parit—nise, heu vaj! m’u kullë,
E kúr prej syve lodja—t’rigote tue bâ qullë
Kultrën[6] e dhimbës s’ate—o vashë, a thue, n’mend t’bín
Fjal’t qi t’pat folë aq t’ambëla?—E kúr, mizore t’rín
Deka me kos’ t’a kputi—prej dhimbe ‘i zêmër ajë,
U duk se mbí trup t’andin—dote m’u shkrî krejt n’vajë.
Ai kjé qi kúr ty trupin—t’a mbloi e dekës mardha,
Mbí tê nji tub’ t’ erandshme—lshoi drandofillesh t’bardha.
Me at t’puthun t’mram qi ty—t’u duk si vul dashtnijet,
T’ndezun e t’ pashlyeshme—t’mnîshme nuk t’erdhën hijet
E vorrit t’ngritë e t’terrshëm,—e ndoshta n’mende t’ande,
Në vorr i dekës gjumi—s’ t’u duk, vashë, aq i rândë;
Pse sakt ty djali i zemërs—kishte për t’lyp’ der’ vonë,
Me t’kjámun kish përhera—kishte për t’ dasht’ gjithmon’…
Jo! mos u ço prej gjumit,—vashë e trathtueme e shkretë!
Syt mos i çil me pámun—mâ ket t’ zezueme jetë;
Tepër shkretnim rreth vorrit—t’and kishe me pá sot,
Ku ‘i dit’ me lule t’bukra—vjollca e anemona plot,
Fala e erkande bijshin,—ku pá ia dá prej dyllit
Të bekuem, nji drit’ shkelqente—si e pastra rreze e hyllit,
Natën tue t’ ruejtë, o vash’…—Tash shiu tue rá pik’ pikë,
Mbar’ lulet i ká kalbun—e dritën t’a ká fikë;
T’a fiku n’nji nat’ t’ terrshme—duhija kúr pat krisë,
E t’shndritshmin shpirt me ‘i hera—pat dhânun tue lëvisë…
U fik n’gjasim t’ jet’s s’ate—t’jetës kaq vrik t’kalueme,
O vash’, qi të kan qitun—në ket vorrez’ t’harrueme,
Ku, kur deg’t qiparisave—ká me u a rrahun veri;
Ká me t’u ngrîmun shtati—tash t’dridhet krejt i mjeri;
Ku kan me qên’ kaq t’shpeshta—errsinat, qi shkëlqim
Diellit kurrher’ s’i shkyen—e nata pá mbarim!…
Oh! ndoshta prap ti kishe—me i dhânun shfrim lakmimit,
Me e pamun edhe ‘i hera—dritën e kuq’t t’agimit,
Atje mbí balkue t’andin—ku ti ‘i dit’ nadje Prilli,
Nsá rrijshe në mjes t’lulevet—vet’ lule drandofilli,
Nga ‘i sy ti qé soditun—Mù ty me përmallim
Falat e para t’mrrîtne—t’mrrîni mâ i pari urim.
Po tash për ç’pun’ do t’çohesh,—me pá ket vend mbet shkret?
Pse, vashë e mjer’, me kthye—aty ku kush mâ s’ t’ pret?
Pse pré, fantazm’ vorreze—me dasht’ me turbullue
Pagjën e atij qi t’tana—ka nji ka nji harrue
Ká t’koh’s qi shkoi kujtimet—e der’ mbas shpinet qitë
Ká t’folunat mâ t’parat—qi t’prû n’balkue nji ditë?
Pse prá m’i a prishun zemrën—t’pá bes’, por plot haré
Me t’cilën i a ká mbushun—tash nji dashtni mâ e ré?…
Shif, vashë e shkret’, nji hera!—Sodìt, si pá pik’ vshtírit,
Ah! tepër shpejt po u terka—lodja prej syvet t’nirit!
N’lulishta lag’ prej vese—teret krejt kshtu brazimi[7]
Sá nadje veç t’a preke—i rrezes s’xét shkëlqimi.
Jo, mos u ço prej gjumit,—vashë e trathtueme, e mjerë!
Flêj’ t’fortat t’jet’s mashtrime—prap mos i zên nji herë!
Kso dore s’ká pikllimi—mâ zêmrën me t’përshkue
Tu’ e pámun ktu tash vehten—për jetë e mot harrue;
E kshtu mâ s’ké me qamun—idhnueshëm me kujtime
T’zêmrës kaq t’ambla e t’dashtuna—qi t’shpejtat mblojn harrime,
E qi kalojn’ me ‘i hera—pá pas’ qindres’ n’vetveti,
Msá ‘i gjurmë e leht’ mjes pellgut—qi fshin me shkulma deti?
Pushò nën rras’ të vorrit—o e mjera vasha e ime,
Porsi nji ditë, e vogël,—t’nan’s s’ate nën shikime,
N’djep u përkundshe, e mjer’!—Pushò n’ket vorr pá droje:
Ké n’shêj t’dashtnís, t’përdlimit—krygjën e Zotit n’roje…
E me t’përshndetun dielli—ty rrezet prej prendimi
Ká për t’i lshue në koh’ t’mbramjes—përmbî ket vorr harrimi;
Ndërsá ty prej bajamavet—qi vesh’ kaq bukur vera,
Me mija fûza[8] lulesh—tash ká me t’shkundun era!
Të cilat si buz’ foshnjesh—të pastra leht’ tash ulen
N’vorr t’and, e t’bukrin êmën—me puthun tash përkulen.
Ty lulet tuba tuba—(ndërsá kúr t’bije nata,
Prej majes s’qiparisavet—fërshllon n’trishim urata)
Tash t’bijn’, tash t’bijn si topa—bore kryekput s’kullueme,
E tash t’vallojn’ krejt vorrin—ku ti pusho’ e harrueme!…

D. Lazer Shantoja (Nxjerrë nga «Grueja Shqiptare»)[9]

[1] fangu: tokë e papunueme.
[2] shermashek (turq.): lerdh, urdh.
[3] triskull-i: degëz e njomë, thupër.
[4] fjordaliz (it.): lil ari.
[5] aft-i: avull.
[6] kultër-a: nënkrejcë, jastëk.
[7] brazim-i: brymë-a.
[8] fûzë-a: grumbuj, tubë.
[9] Shenjim: Në pamundësi me gjetë tekstin origjinal, kjo poemë u mor nga «Shkrimtarët Shqiptarë», pjesa II, Tiranë 1941.

www.ShkoderZemer.com

> ShkoderZemer.com Facebook <


Komento

Inserisci i tuoi dati qui sotto o clicca su un'icona per effettuare l'accesso:

Logo WordPress.com

Stai commentando usando il tuo account WordPress.com. Chiudi sessione / Modifica )

Foto Twitter

Stai commentando usando il tuo account Twitter. Chiudi sessione / Modifica )

Foto di Facebook

Stai commentando usando il tuo account Facebook. Chiudi sessione / Modifica )

Google+ photo

Stai commentando usando il tuo account Google+. Chiudi sessione / Modifica )

Connessione a %s...

%d blogger cliccano Mi Piace per questo: