Home » Letërsi » Lazër Shantoja » Nana

Nana

Nana

Kët herë kam da me ju paraqitë nânën!
—Po na kënaqke!
—Kush e di madje! Kadalë nji herë. Mos kujtoni se do t’ju mërzis me biografín e sajë, pse mâ parë e mâ dalë nuk dij as se kur ka lé, mbasi nuk e din as ajo vetë. (Jo po, i u zhgarkova kot: kët datë e ka mbâjtë në mend.) «Kur ke lé, nânë» i thom. Përgjegja: «Kur kam lé un, at vjetë janë vjedhë florîtë e Zojës Vá!… .» Këtij t’i thuesh kalendar se!
Vjeshtën qi shkoi shkova dhe un në Paris nji herë. I shkruej nji miku e i diftoj përshtypjet e mia. «A din,—i shkruej—se ça më ka bâ mâ fort përshtypje në Louvre? Fytyra e nânës s’eme!… Kaqë sa për pak harrova me pa Venus-in e Milo!» Ishte shpërthye gazit. Ah medet qi s’jam piktor! Qe nji motiv i mrekullueshëm. Nji grue plakë qi nuk din as me shkrue as me këndue, para nji Gioconda ase para nji Enterrement d’Ornans. Por… më ka takue me pa sende edhe mâ të çudiçme. Sod pesë vjet në Romë. Në Kapelen Sikstine. Andej e këndej turista me Baedeker në dorë, me sy përpjetë e me gojë hapun. Në nji qoshe nji zojushë. Vetëm. Në dorën e rrëmaktë nji pasqyrë të vogël e në të djathtën nji lapsë majekuqe. I avitëm lehtë e lehtë. Kryqzoj krahët e e sodis. Mbasi mbaroi me u dhânë rouge buzve, çoi kryet, më pau, u kujtue se pse e qyrshem. U kuq prej turpit. Nji zojushë moderne qi para Gjyqit të mbram të Mikelangelos u ep rouge buzve. Medet, medet qi nuk jam piktor! Qe nji motiv tjetër edhe mâ i bukur se i pari.
—Po ti a ke da me na përshkrue nânën t’ande apo muzejt e Evropës?
—Kadalë xhanem nji herë! Un nuk kam da me shkrue nji hymn këtu, por me bâ muhabet… Kodrat mbas bregut nuk shkruhen ndryshej. E dij se ju, ju sidomos të rijtë, kishi me dishrue qi t’ju përshkruejë grá moderne; grá qi flasin për Crêpe de Chine, për Maurice Chevalier e Paula Vesely e qi dijen e tyne e nxjerrin të tânë prej revistes modash Marie—Claire! Por gra të tilla nuk âsht nevoja me i kërkue në Shqipní. Ka asosh plot edhe në Paris e në Buenos—Aires. Gra t’interesantshme quej un ato qi lajmet e javës i marrin të gjitha prej leçinave të priftit para predkut të dieles, ato qi orët e ditës i njehin mbas sahatit të Kishës së Madhe, ato qi tue pa shtatoret e êjvet në Kishën e Shë Pjetrit, të thonë: «Jazek! Po ça janë gjithë këta lakuriqa në kishë?» Këto janë gra type!
—Prej Basel në Zürich. Në tren. Ne e rrëmaktën rrjedh madhnueshëm Reni.
—Qyre, nânë, kët lum.—E nisi, un i marri, me i diftue se ça âsht Reni.
Më qyrë habishëm e më thotë: «A ka peshk mbrendë?»
Nji qytet piktoresk. Për me e shijue mâ fort bukurín e tij, i ngjitemi nji kodres. Prej andej: «Qyr, nânë, sa i bukur âsht qyteti prej këtej. A po e njeh?»
—«Po un e marrë nuk jam. Ky âsht shehri ku blejmë mishin…»
Liqêni i Toun. Nji poezí. Vargu mâ i bukur i alpeve të Zvicres qi pasqyrohet në tê. Jungfrau me Mönch e Eiger». N’ato dit, sod tri vjet, edhe flokët e arët të Lilian Harnvey. Del, nânë, këtej—i thom,—se sheh mâ mirë.» Më përgjegjet: «A ka ujë, apo tjetër gjâ?» E… nuk lot vendit.
Në smûetore. Para se me ju shtrue nji operacjoni shum të vështirë, në të cilin ajo shihte e pritte dekën, e çojnë m’u la. Në bâjë. Flet vetmevete: «E mjera un se në çë vend kam ardhë. Në vend t’em më kishin la mbas deket, e këtu paskan zakon me të la përpara…»
Gjumi kloroformik i kishte posa dalë. I avitem, e qyri. Mundohem me qindrue. Mundohem me qindrue. Me fije zânit më thotë: «Të gjitha t’i kam bâ hallallë. Por kët s’t’a bâj hallall kurr, qi më ke prû në spital…» Ku i kishem shpëtue jetën.
«E lumja un! po des e teshat s’më kanë ardhë ala prej Shkodre. Ani kam pasë gati çarçafin e madh harkat, të bardhë, e këtu tash më shtînë në dhé me çarçaf bezjet…?»
I thom: «Nânë, due me të qitë në gazetë. Qe ça kam shkrue për tý».
—Si, me qeshë kështu nânën t’ânde? Po ti a ke luejtë mêç a? Un jam plakë, por ty tash të losin hallku kryet , more bír!
Ndokush ndoshta mendon po kështu. Nji profanim? Jo.
Kuvéndshim nji natë vonë me Koliqin. Këtu në qelën t’eme. Ishim vetëm. «Nuk ke shkrue kurrgja, Ernest, deri tash mbi nânën t’ânde».
—«E due tepër, më tha, nuk kam mujtë as nuk muej».
Jam edhe un krejt mendimit të tij. Nën kët rubrikë qesharake un nuk përshkruej nânën, por typin e nji grueje plakë shkodrane qi nuk ka pasë mjetet e duhuna me frekuentue as shkollen e Kush Mices. Artikujt e vjerrshat qi janë të dênja për nji nânë mund të shkruhen vetëm me gjakun e zêmërs.
Ishe në burg. Vinte për ditë me më pa. Kurr nji pikë lot para meje. Nji ditë vjen e nuk mund të flasë prej vajit. «Ça ke, nânë, sod?»—jam tue ardhë prej Fushës së Drûve. Kam kênë aty me pa pale a të kanë vjerrë… Nuk kam fjetë gjith natën.» Shqenë e dênjë m’u këndue në nji libër të Dostojevskit.
Me shkrue mbi nânën? Ke arsye, Ernest, mbi nânën nuk shkruhet. Ça mund të shkruhet mbi tê, janë vetëm banalitete. Kodra mbas bregut.
Edhe pak pra. Të vazhdojmë.
Këndoj nadje fletoret. Don me dijtë edhe ajo se ça ndodhë. «Qe, i thom, në Vjenë nji major paska vra veten me gjith grue e fëmij pse mbaroi Austria».
—«Sa i marrë! Po ai Austrín ilaka nuk e ka pasë!…»
—«Uh, nânë, ti nuk din se ça âsht politika».
«Jooo, politikën e keni dijtë ju. Ajo na ka qitë në rrugë të madhe…»
E tjera, e tjera, e tjera…
Ec e thuej se nuk âsht nâna!

D. Lazër Shantoja, Cirka, 8 Maj 1938.

www.ShkoderZemer.com

> ShkoderZemer.com Facebook <


Komento

Inserisci i tuoi dati qui sotto o clicca su un'icona per effettuare l'accesso:

Logo WordPress.com

Stai commentando usando il tuo account WordPress.com. Chiudi sessione / Modifica )

Foto Twitter

Stai commentando usando il tuo account Twitter. Chiudi sessione / Modifica )

Foto di Facebook

Stai commentando usando il tuo account Facebook. Chiudi sessione / Modifica )

Google+ photo

Stai commentando usando il tuo account Google+. Chiudi sessione / Modifica )

Connessione a %s...

%d blogger cliccano Mi Piace per questo: