Home » Letërsi » Lazër Shantoja » Këndoj

Këndoj

Këndoj

Po si kështu? Qari i pokerit të mbramshem? S’i a bâj as nji as dy, por nxjerri duert prej xhepash, çeli derën e hy mbréndë.—«Të lutem, zojushë! (Ishte mjaft rrole, por—zojushë âsht nji titull qi çdo grue pranon pa protestue…) Librin e Axel Munthe: Hommes et Bêtes».
Nji javë para kishem pasë rasën me folë me nji shoq t’emin shqiptar mbi Axel Munthe. Mbi autorin e librit të famshem: «Le livre de San Michele». Folem gjatë mbi at autor aq origjinal e mbi dashunín e tij për shtâzë. Para disa mujvet njoftja e atij autorit më bâni bilé me bâ, si thonë Italjanët, bella figura, para nji deputatit të kantonit të Bernës. Ky më diftoi se do të flitte në radjo të Laussanës përmbi qên e se nuk kishte mbledhë ende letratyren e duhun. Si thae? Nji deputat me folë në radjo përmbi qên? Edhe kët e ndieme. Po, zotní. Pse ai deputat, sikur të gjithë deputetnit tjerë në kët vênd, ka nji profesjon. Âsht veterinar. Luksin me bâ profesjon zyret politike mund t’i a lejojë vetes vetëm Shqipnija e ndoshta ndoj shtet ballkanik tjetër. Zvicra e shkretë nuk ka mbërrîjtë ende n’at shkallë. Ajo e shkreta s’i a ka kamin si … na. Ndiç… Kû mbeta ej? Kjo dreq politiket m’âsht bâ morr. Nuk hiqet. A po. Tu deputati e tu qêni. I thâm (deputatit): «A e njihni Axel Munthe? Librin e tij? Aty keni disa fletë të mrekullueshme përmbi qên».
E kishe qitë në rrugë. E kur mâ vonë më qiti rasa me u ndeshë rishtas me tê, ky s’dijti me gjetë fjalë të mjaftueshme për me m’u falun nderës. Kishte bâ edhe aj bella figura në sajde t’eme.
Axel Munthe—Hommes et Bêtes. N’origjinal: Memories and Vagaries. Paraqitun prej Pierre Benoit t’Akademís së Francës.
Të punoftë bafti! Libri i dytë i tij. Frânga 3.40.
E kam këndue, e kam përpî në nji ditë.
Do t’ju flas mbi tê? Jo aspak. Mjaft qi aj liber më dha idén me shkrue dy fjalë përmbi shtâzë. «Un e shtâza!» qe titulli i nji romani të vogël qi secili nesh kishte me mujtë me shkrue.
Por na jemi të zânun tepër me njerëz, sidomos tepër me veten, për me mendue se ka edhe shtazë qi na shërbejnë, qi na bâjnë shoqní, qi na argtojnë. Në fëminí shtâzët qi mâ parë na tërhjekin janë zogjët. Trumcaku, gushakuqi, trishtili, kanarina, gardelina. E bata e trapulla janë mobilizue për me i zânë… Për me u rrëmbye lirín frymorve të pupluemë. Mbandej kanë ardhë fluturat. Edhe këtyne në shpinë, mbandej pilivoesat. Vrik me i zânë e me i mundue. Bâmun mâ të mëdhaj e të zott me përdorë nji flobert, instinkti i grindjes gjênë nji fushë mâ të hapun. Gjoja. Me pa gjak me sy. Po der këtu mund të flasim prap për poezí. Zogjët janë kafshët mâ poetike të krijesës. Leopardi e tjerë kanë shkrue bukurí mbi ta.
E mbandej? Breshka, iriqi, gungalla. Gjithnji poezí. Andrrat e aventurat qi kanë mbushun fëminín t’onë.
«Qe, nanë ça kam zânë!» Kukú, bërtet nâna. Çohet, kap dorën e foshnjes e i thotë: «Lëshoje në tokë!» I shkreti, trêmbun, lëshon në tokë nji… hagrep! E kishte gjetë e zânë tue çue prej murit me lagshtinë fuguren e Zojës.
«Nânë, pse blen ti gjithmonë drû me ngarkicë? Te Gact—e Nushët i blejnë gjithmonë me gomar o me kál. Due me hypë edhe un në gomar, nânë!»
Fëmija i lemun në skam nuk e din se drûtë me gomar e kál bâjnë mâ shtrêjtë se ngarkicat në shpinën e nji malsoreje. Por ai din se don me u argue edhe ai e… me hypë në gomar, si kojshija i pasun.
Gomari, kali, qêni (zagari).
Por para këtyne qe rika e pata. E rrugat vlojnë ne e ditë të dielle për me pa tue u hângër rikat e Tepes me ato të Ballabânes, e patat e Arrës së Madhe me ato të Djepaxhíjvet.
Matchet e para të sportit shkodran…
Kali? Ky âsht nji sport mâ i kushtueshëm. Duhet me qênë së paku prift për me mujtë me e quejtë nji kal të vetin. Un në fillim, edhe kët e mora uhá. Nji alamet zgobell kalit lanun prej ushtrí serbe në të hikun e aq i mbaruem sa me t’u dukë rodit të kualvet t’Apokalypsit. Nji mik shkodranë e kishte ble e nuk mund t’a mbante në qytet. Me i bâ sherbim vetes edhe mue m’a dha në Velipojë. Aty i ra kroma. M’u desht me i a kthye në Shkodër. Ndër balta të Sukave të Dajçit më mbet në rrugë. As mâ andej as mâ këtej. Nuk i pashë hall vetes as… kalit. I zdrypa, i hoqa shalen e e mëshefa në nji gardh mrinash. Ishe kujtue qysh here se bota kishte mjaft gjindë qi kur s’kanë ça me i bâ kalit, i bien samarit. Samarin (n’rasë t’eme, shalen) nabare po e shpëtoj, i thashë vetes. E kali’ mbet aty qyqari… në baltë! Më qyri me do sy të dhimbëshem, pa luejtë. Sigurisht se sod nji sqenë e tillë kishte me m’bâ me qa. Por at herë ishem i rí e… shtazët nuk i dojshem!
Qe kû deshta me dalë.
Duket se dashunija për shtâzë u fitoka me moshë. Ndoshta èdhe me vetëmí. Do të pyes Ernest Koliqin, por kujtoj se Carducci kur pat shkrue at sonet të mrekullueshëm
T’amo, o pio bove, e mite un sentimento….
nuk do të ketë qênë axhamí. E mendoj plak. Kështu edhe Silvio Pelico mos të kishte pasë rrezikun me ndêjë për disa vjet të mira në burg nuk kishte pasë as rasën as qejfin me folë me nji marimângë. Për me dashun shtazët lypet ndoshta edhe mâ shum. Me qênë njeri. Me pasë nji jetë shpirtnore, nji jetë të përmbrêndshme. Shêmbull klasik: Shë Françesk Asisi. Thonë se Mussolini i don shum micat. Hitlerin e shoh të pikturuem në jetën private tue pasë për brî nji qên. Gandhi e quen lopen «nji poezí e mishrirës». Sa bukur. E mâ e mâ e mâ e mâ… Ça na lypen tjerët? Ra vehtja e më këputi shpirtin, thotë nji fjalë shkodrane.
Po bâjshem rrugë. Në vithe të nji motoçiklete amerikane. Me dy miq vjenezë. Në Côte d’Azur… Cannes, Nice, Monte Carlo!
Ndalu—i thom shoqit para meje—A nuk po i ndien gungallat tue këndue? Ai u çudit. Gungallës nuk i dinte se êmnin. Un nuk i kishem ndie tash 12 vjet. Ndalem i përmalluem mâ andej qe nji djalosh me nji gomar të vogel për doret. E brî meje lule, lule, lule. Dajë edhe nji lule të përvújtë. Të përvújtë si atdheu i largët. Nji lule mullagë. E këpus. Iu marr erë. Lehtë lehtë e marr me të mirë me dorë. E due mirë. Lulen e kopshtit t’em.
Côte d’Azur! Cannes. Nice. Monte Carlo?…
Un kishem Shqipnín në zémër.
Disa gungalla, nji gomar e nji lule mullagë më kishin mbushun me tê… .
A e kënduet kët artikull?—Po.
Do të thoni: More i shkretë! Po na dhîmbesh. Të paskan ra trûtë në qafë… .
Paj…. fajin e kam un qi shkruej!

Dr. Lazër Shantoja, Cirka, 27 Marc 1938.

www.ShkoderZemer.com

> ShkoderZemer.com Facebook <


Komento

Inserisci i tuoi dati qui sotto o clicca su un'icona per effettuare l'accesso:

Logo WordPress.com

Stai commentando usando il tuo account WordPress.com. Chiudi sessione / Modifica )

Foto Twitter

Stai commentando usando il tuo account Twitter. Chiudi sessione / Modifica )

Foto di Facebook

Stai commentando usando il tuo account Facebook. Chiudi sessione / Modifica )

Google+ photo

Stai commentando usando il tuo account Google+. Chiudi sessione / Modifica )

Connessione a %s...

%d blogger cliccano Mi Piace per questo: