Home » Letërsi » Karl Gurakuqi » Pál Gjoka — kush qe ky njeri?

Pál Gjoka — kush qe ky njeri?

Pál Gjoka — kush qe ky njeri?

Për të dhanë pergjegjen e duhun, na lypet të kthejmë disa vjetë mbrapa. Jetonte dikur në ket vend nji farë Gjokë Marku, i ati i Pal Gjokës. Ai pati qenë nji burrë i keq, nji cub qi s’kishte lanë gjâ pa vjedhë, tmera e kundërshtarvet të vet, mallkimi i fisit. Motit familja e tij pat qenë ndër mâ të pasunat. I ati i Gjokës, Mark Gega, kishte qenë edhe plak katundi, nji detyrë qi u ngarkohet burravet mâ në zâ dhe mâ të mirë. Zâni i tij kishte marrun dhén për urtí, për kanû dhe për burrë fjale. Perendija pati dhimbë për tê, prandej çoi dhe e mori, përpara se i biri Gjoka, të niste jetën e vet të mbrapësht. Këtij, me vdekjen e t’et, i rá me marrun nji pasuní shum të madhe, të cilën e shkrîni si shkrîhet bora para diellit. Në shtëpín e tij shkoshin miqt dita me ditë, sofra e tij ishte e shtrueme gjithmonë për çdo njerí.

Mâ në fund erdhi dita qi theri mâ të mbramin berr, erdhi ora qi gatoi mâ të mbramen bukë prej kollomboqi t’aravet të veta, por me gjithkëta nuk mori endè fund jeta e tij madhështore. Ai mblodhi rreth vehtes njerz të hûnit dhe të litarit, asish qi ishin të ndjekun nga kanuni, njerz qi kishin njimijë të zeza mbi shpinë dhe qi kërkoheshin për gjak. Me këta dhe me disá Kthellas të këtij typi, me cuba në zâ, u ul deri në fushën e Matit, deri n’Elbasan, në Krujë, në Durrës dhe mâ përtej. Gjithkund i shkelte kamba, shkretnote, vidhte, shkaktonte váj e gjak. Kurrgjâ nuk kursente, kurrkush nuk ishte i sigurtë para tij dhe shokvet të tij. Nuk lênte pulë në furrik, nuk lênte arë pa thyem, nuk lênte beg as agë pá mërzitun. Emnit të tij i kishte dalun emni anë e kand; e drojshin dhe e mallkojshin. Me ket emën trembte nana fëmín e vet qi qante e nuk donte të flente: me te bâheshin kërcnime vdekjeje. Me përmendun Gjokë Markun, ishte si me përmendun dreqin. Por prap — edhe kjo gjâ âsht nji veçaní jo vetëm e shpirtit të Shqiptarit, por edhe e gjith njerzve —, ndonse bota kishte frigë prej tij, levdonte guximin dhe trimnín, veprat e mrekullueshme, dhelpnín, përfundimet e ndërmarrjevet të tija. Po të mirret para sysh trupi i bâshem i tij, bukurija burrnore e fytyrës, fuqija e jashtëzakonshme e trupit, qendrimi dhe gjakftoftësija e tij, mund t’a marrim me mend se Gjokë Marku kishte mujtë me u bâm nji fatos i popullit të vet.

Të gjitha plaçkat e vjedhuna i sillte në Kryezez, në kullën e vet, të cilën e kishte si kështjell, dhe aty i bânte rrush e kumbulla me shokët e vet. Mbasi therej berri i fundit dhe mbasi shkonte në pije qindtari mâ i mbram, atëherë i vêhej syni njij katundi tjetër për t’a plaçkitun.

Kjo jetë e tmershme, me mbrapshti e me të zeza, pati nji mbarim të shpejtë. Nji ditë prej ditësh e gjetën Gjokë Markun të vdekun afër Milotit. Njêni ndër shokët e tij të cubnís, e kishte pasë vrám mbas njij grindjeje së shkaktueme për nji send të vjedhun. Vdekjes së tij me të vërtetë i kishte kaluem koha, pse zemrimi dhe ankimet e të damtuemvet ishin shtuem në një mënyrë të jashtëzakonshme, pa-kënaqësija e fisit ishte bâm përherë e mâ kërcnuese; famullitari i vendit, At Anastazi, kërkonte qi Gjokë Marku të dëbohej me doemos dhe sá mâ parë nga katundi. Prej familjes së Gjokë Markut, e cila dikur qe aq e përmendun, nuk ishte mbetë mâ njerí tjetër, veç njij djali të vogël, nj’a dymbëdhjetë vjeç, i bukur si agimi i ditës, i vorfën pa kurrgjâ, mbas shpirtit. Ky çun ishte Pal Gjoka, për të cilin po flasim.

Si trashigim të vetëm prej krejt pasunije së të parvet të vet, s’i kishte mbetun tjetër, përveç emnit të shnderuem. At Anastazi pati dhimbsuní për ket fëmí, prandej deshi t’a mirrte pranë vehtes, por ky çun krenár, ndër dejt e të cilit vlonte gjaku i egër i t’et, nuk pranoi ketë bâmirsí të famullitarit. I pëlqeu mâ tepër të dilte nga vendi i vet. Në tregun e Lezhës u ngjit shkarth, por jeta gjithmonë e njinjishme, e ndêjun, dhe e pa ndryshime, nuk e kënaqi për të gjatë kohë. U vendue prandej te nji voztár ulqinak dhe me barkën e këtij shkoi deri në Stambollë. Atje iku prej varke dhe qýsh prej asaj kohe nuk u muer mâ gjâ vesht për tê. Humbi në qytetin e madh të Bosforit si spatë pa bisht.

Dhe tashtí, pa pritë e pa kujtuem, na erdhi në Kryezez.

Flitej andej këndej, se e kishin pám disa vetë, dhe nji grue qi po mblidhte drû në pýll, e kishte ndeshun me nji trupi lisi mbí shpinë.

Disa kalamâj e kishin vûm ré në kurt të shtëpís së t’et, tue i bâm nji mbulojë të përkohshme njênës nga ndërtesat, qi ishte në gjendje mâ të mirë se tjerat. Kjo gjâ të jipte me kuptuem, se ai kishte në mendim me ngulun në Kryezez.

Të gjitha këto punë, dhe shum tjera fliteshin andej e këndej prej barijsh rreth zjarmit, pranë votravet dhe te kroni. Emni i tij ndigjohej në gojën e secilit dhe kishte marrun dhén.

Prandej mund të mirret me mend trazimi qi kishte famullitari plak i vendit. Mendonte i shkreti se do të fillonte prap historija e vjetër, se do të përsritej jeta ravguese e Gjokë Markut, t’et të Pal Gjokës.

At Anastazi dërgoi bajraktarin Gegë Markun: për të marrun vesht se si qindronte puna. Ky ktheu me lajme jo fort të mira. E kishte pasë pám Pal Gjokën me të vërtetë afër rrenimevet të kullës së tij së djegun; e kishte ndrequn, sá për nevojë, nji vend banimi; kurtin e kishte pasë sheshuem dhe pastruem. Nuk e kishte pasë përshëndetë aspak.

“Ç’don ti në Kryezez? Ç’kërkon ti në trollin dhe në tokën, prej së cilës kanuni i vendit të ká dëbuem”?

Djaloshi, në vend të përgjegjes, kishte thithun cingaren qi kishte në gojë; nuk ishte nxém as ftofun, vetëm sýt i kishin pasë thanë:

“Gegë Marku, po a thue kjo âsht përshëndetja e fisit për njênin qi kthen në vendin e vet? Edhe unë e dij kanûnin. S’ká ligjë qi të më pengojë të banoj në trollin dhe në tokën e të parvet të mij. Ju flitni për ligjë e për drejtësí, por pse nuk e patët zbatuem ketë ligjë mbí babën t’em, kur ai ishte i rrethuem prej shokvet të vet? — Atê e keni pasë frigë të gjith; i keni hangër bukën e i keni pimë rakín. I biri i tij do të kishte mujtë me ndêjë në vendin e vet si shërbtuer, por si njerí i lirë nuk doni me e pasë afër vehtes; — unë prá, lum Gega, do të rrij; po, do të rrij derisá të më pëlqejë mue dhe jo ju!”

Bajraktari i a kishte pasë lajmuem At Anastazit nji nga nji të gjitha fjalët e Pal Gjokës.

Famullitari plak kishte pasë luejtun kryet dhe kishte pëshperitë me vetvehte: “I ati në vend!” e kishte tretë ndër mendime.

(Nxjerrë nga romani “Lule”, fq. 27-31)
SHKRIMTARËT SHQIPTARË, Pjesa II, Tiranë, 1941

www.ShkoderZemer.com

> ShkoderZemer.com Facebook <


Komento

Inserisci i tuoi dati qui sotto o clicca su un'icona per effettuare l'accesso:

Logo WordPress.com

Stai commentando usando il tuo account WordPress.com. Chiudi sessione / Modifica )

Foto Twitter

Stai commentando usando il tuo account Twitter. Chiudi sessione / Modifica )

Foto di Facebook

Stai commentando usando il tuo account Facebook. Chiudi sessione / Modifica )

Google+ photo

Stai commentando usando il tuo account Google+. Chiudi sessione / Modifica )

Connessione a %s...

%d blogger cliccano Mi Piace per questo: