Home » Letërsi » Gjergj Fishta » Lahuta e Malcis – Te Kisha e Shnjonit

Lahuta e Malcis – Te Kisha e Shnjonit

Lahuta e Malcis – Te Kisha e Shnjonit

Prendoi dielli, n’qiellë duel hana,
n’ Veleçik po pingron Zana :
Ehu ! ju malet e Shqipnisë,
n’ t’ cilat strukë shqipja e lirisë
n’ t’ bardhat kohë, qi kanë prendue, 5
s’ lête anmik, jo, me iu afrue !
E din shpat e di’ edhe përrue,
e din landë e di’ edhe gurë,
Shqiptarisë kryq e tërthuer,
se sa gjak atëbotë i anmikut 10
vojti rrëkajë prej t’ bardhë çelikut,
qi flakote n’ dorë t’ Shqiptarit,
porsi rrëfeja majes s’ Sharit.
A kisht’ mujtë kurr n’ atë kohë t’ lume,
(me lot gjakut sot t’ lotueme !) 15
veç nji troe t’ tokës shqiptare
me rëmue dora grabitçare ?
Ah ! jo kurr : t’ isht’ çue mbarë bota…
Pse ndo’i Lekë a i’ Gjergj Kastriota
do t’ kisht’ dalë atë dorë rrëmbyese 20
m’e cungue me armë ngallnyese,
t’ cilat n’ shekull do t’ përmenden
hanë e hyj sa qiellëve t’ enden.
Por kanë ndërrue sot moti e stina
për dhé t’ ngritë, ku rreh « martina » ! 25
Gjinde e mbajtun me lot t’shu’mit
qi n’ djersë njomë busat e umit,
ja qi n’ kullmë rreshket kumbuese,
ja npër detë bjen valës shkumbuese,
për me mbajtë nji grue te shpia 30
s’ cilës bukë i lypin fëmija,
edhe i lên, ndoshta, me kjá,
përsè e mjera bukë nuk ká :
gjinde, s’ cilës Zot i âsht ari,
t’ zezën bukë, qi i ngratë Shqiptari 35
shtrêjt me gjak e pat fitue,
pa ndo’i dhimbë, kjoshin mallkue !
sot m’ e dá duen copa copa :
e përsè ? Pse don Europa…
Uh ! Europë, ti kurva e motit, 40
qi i rae mohit besës e Zotit,
po, a ky â sheji i qytetnisë :
me dá tokën e Shqipnisë
për me mbajtë këlyshët e Rusisë ?
Po, ti a kështu sot na i përligje 45
njata burra, qi m’ këto brigje
për ty vehten e bâne flie
kur ti heshtëshe prej ligështie ?
Ti, qi i kalle flakën diellit
e i shestove rrathët e qiellit, 50
Ti, prej eshtënsh t’t’ ngratë Shqiptarëve,
qi bânë dekën për dhé t’ Parëve,
bân sot t’ bijnë fatosa t’ ri,
t’ cilt nji troe t’ kësajë Shqipní
mos t’ ia lanë Shkjaut n’ dorë me i rá 55
krejt në gjak nji herë pa e lá !
Lum, oj Zana e Veleçikut,
qi m’ ia lëshon ti namët anmikut,
qi m’ i uron djelmtë e Malsisë,
qi m’ ia kjanë hallin Shqipnisë ; 60
kësaj Shqipní e cila motit,
n’ zâ kah pushka e besa e Zotit,
pat kenë çmue prej fisesh t’ tana
kah bjen dielli e kah merr hana !
Por, sado qi poshtë ka rá 65
sot me sot e rrin tue kjá
n’ pluhun t’ tokës, prej njerëzve shá,
prap, oj Zanë, shkëndia e burrnisë
nuk â’ shkimbë n’ male t’ Shqipnisë,
qi, manà, edhe n’ këto kohë t’ reja 70
ka ‘i herë ndezet flakë si rr’feja.
S’ kanë mbetë shkret, jo, armët besnike,
përsè Arbënorja, grue fisnike,
bân se bân fatosa t’ ri,
t’ cilt trimënisht për ketë Shqipní 75
e për besë e t’ bardhën Fé
e bâjnë dekën si me lé.
A po i sheh ti njata burra,
qi kah Brigja nepër curra,
tue hecë natën porsi bisha, 80
janë t’u ngjitun drejt kah kisha ?
Ata janë, po, Krenët e Hotit
qi m’ u lidhë duen me besë t’ Zotit
për me i dalun zot Shqipnisë,
për me i lanum nderë Malsisë. 85
Po, Çun Mula mbi shpinë t’ kalit,
ua çoi lajmin Krenëve t’ malit :
ua çoi lajmin n’ derë t’ konakut,
për me u mbëledhë n’ kuvend t’ bajrakut ;
e si rrokull kjenë rreshtue, 90
kështu xên Çuni me ligj’rue :
« Fol tash, Masho, ç’po na thue ?
Un qe Krenët t’i kam bashkue,
t’ cilve mundesh me u besue,
pse armët kryq i kemi vu, 95
si na e lánë të Parët kanu ».
Atëherë Mashi xên kadalë :
« Pa ndigjoni, o trima, ‘i fjalë,
qi po u thom me besë të Zotit,
porsi nipave t’ Kastriotit : 100
katërqind e s’ dí sa vjet
janë qi i bâjmë Mbretit hysmet,
kush ushtrí, kush angarí,
me armë n’ dorë, me zjarm në gjí,
me ‘i kambë mbathë me tjetrën zdathë, 105
bukën n’ strajcë e shpí senjurin,
dyshek tokën, jastek gurin,
t’ mbramë te hika e t’ parët te mbeta :
trima n’ zâ, çëse â’ xanun jeta :

www.ShkoderZemer.com

> ShkoderZemer.com Facebook <


Komento

Inserisci i tuoi dati qui sotto o clicca su un'icona per effettuare l'accesso:

Logo WordPress.com

Stai commentando usando il tuo account WordPress.com. Chiudi sessione / Modifica )

Foto Twitter

Stai commentando usando il tuo account Twitter. Chiudi sessione / Modifica )

Foto di Facebook

Stai commentando usando il tuo account Facebook. Chiudi sessione / Modifica )

Google+ photo

Stai commentando usando il tuo account Google+. Chiudi sessione / Modifica )

Connessione a %s...

%d blogger cliccano Mi Piace per questo: