Home » Letërsi » Gjergj Fishta » Lahuta e Malcis – Cubat

Lahuta e Malcis – Cubat

Lahuta e Malcis – Cubat

Ndihmò, Zot, si m’kè ndihmue!
Pesëqind vjet kishin kalue
Çëse të buk’rën ketë Shqipni
Turku e mbate në robnì,
krejt tu’ e là t’mjerën në gjak, (5)

frymën tue ia xanun njak,
e as tu’ e lanë, jo, dritë me pà:
kurr të keqen pa ia dà:
rrihe e mos e lèn me kjà:
me iu dhimbtë, po, minit n’ murë, (10)

me iu dhimbtë gjarpnit nën gurë!
Veç si ‘i dèm, vu n’lavër spari,
qi, ka’ e vret zgjedha e kulari
kah nuk bàn m’e thekë strumb’llari,
s’ndigjon me tërhjekun m’pluer: (15)

e tue dhanë kryq e tërthuer,
tu’ i dhanë bulkut shum mërzì,
me u vu s’ ryset për hullì
e as me shoq ai pendë me shkue:
kështu Shqiptarët, të cilt mësue (20)

s’din’ me ndejë rob nën zgjedhë t’huej,
pagë e t’dheta me i là kujë:
por të lirë me shkue ata motin,
veç mbi vedi tue njohtë Zotin,
e as kurrkujë n’ këto troje t’ veta (25)

mos me i bà kurr tungjatjeta,
n’braz me Turk kurr nuk kanë rà
e as kurr pushkën s’ ia kanë dà;
por t’janë grì me tè e t’janë vrà,
si me kenë tu’ u vrà me Shkjà (30)

E prandej si pat fillue
Turkut Ora m’ iu ligështue,
e nisë pat m’ iu thy’ atij hovi,
m’ qafë përditë tu’ i mbetë Moskovi:
e ato fiset e Ballkanit, (35)

zunë me i dalë dore Sulltanit,
nisë Shqiptarët kanë me u mendue,
si Shqipninë me e skapullue
zgjedhet t’ Turkut : qi si motit
n’ ato kohët e Gjergj Kastriotit, (40)

krejtë e lirë kjo t’ishte, e askujë
n’daç t’jetë Krajl a Mbret i huej,
me i bà kurr mà tungjatjeta,
kurr me i là mà pagë e t’dheta:
edhe Flamuri i Shqipnisë, (45)

si fletë Engj’lli t’Perëndisë,
si ajo flaka e rr’fesë zhgjetare,
me u suvalë prap n’tokë shqiptare.
Kur qe ai Knjazi i Malit t’Zi,
Knjaz Nikolla, ‘i gërxhelì: (50)

gërxhelì, por belaçì:
na dyndë top, na dyndë ushtrì
edhe del e bjen n’Shqipnì,
për me shtrue këto bjeshkë e vërrì,
shka merr Drinin për s’të gjatit (55)

der’ n’ Kalà të Rozafatit,
ku ai me ngulë do’ “trobojnicën”,
do’ m’ ia vu Shkodrës “kapicën”:
me bà Shkodrën Karadak,
mbasi ‘i herë ta kisht’ là n’gjak! (60)

Ka ndejë Turku e këqyrë haru,
pika-pika lotët tu’i shkue,
kah s’ka Shkjaut si me i qindrue;
se Moskovi e ka rrethue:
ka Stambollën muhasere! (65)

Bàjnë shtatë Krajlat muzhavere
Shoq me shoq, tue shartue zì
-si ata e zeza m’i pastë mb’lue!-
për të buk’rën këtë Shqipnì,
si m’ia lëshue n’dorë Malit t’Zì. (70)

M’kambë Shqiptarët atëherë t’janë çue.
Sa mirë n’armë na janë shtërngue!
T’fortë kanë lidhë nji besë të Zotit,
si të Parët ua lidhshin motit
n’ato kohë t’Gjergj Kastriotit: (75)

me ‘i kambë mbathë e tjetrën zbathë,
gjanë e gjallë pa grazhd mbyllë n’vathë,
diku ngranë, diku pa ngranë,
harrue grue, motër e nanë,
sy’n agzot, zemrën barot, (80)

e si ai plajmi me furì,
t’kanë rrà ndesh Malit të Zì,
për t’gjatë t’Cemit n’atë kufì,
ku edhe trimat t’janë përlà:
t’janë përlà Shqiptarë e Shkjà, (85)

ballë për ballë ata tu’u vrà,
fyt-a-fyt, ofshè! tu’ u prè:
tue mbetë shakull përmbi dhè,
mish për shpez e kaçubeta,
gjithku kje ajo pika e djalit, (90)

gjithku kjenë sokola malit,
pa kjà m’ta as nanat e shkreta.
Veç se, po, me parzme t’veta
Aty Shkjaut sulmin kanë thye.
Mbasi Shkjaut sulmin kanë thye, (95)

bàjnë kuvend Shqiptarët n’mjet vetit
e ‘i fjalë t’madhe çuekan Mbretit:
se jo veç qi Knjaz Nikollës
nuk i lajnë kurr pagë e t’dheta,
porsè as Mbretit të Stambollës (100)

s’duen me i bà mà tungjatjeta,
e se dore duen me i dalë:
se Shqipninë nuk po e kisht’ falë
Perëndia për çerkez,
Turq, manovë, likurazez; (105)

por për do sokola mali,
qi “Shqiptarë” bota po i quete,
për ta gëzue këta djalë mbas djali,
der’ qi jeta mos t’u shuete.
Turku fjalën e ka ndì’: (110)

se ç’asht mbushë ai me mënì!
Se edhe lëshue ç’ka mbi Shqipnì,
gjallë Shqiptarët ai me i përpì!
Por Shqiptari gjallë s’përpihej,
e as me u shkelë, besà, s’po lihej, (115)

kur po i mbushej mendja e vet,
për Shqipnì me bà gajret,
n’ dashtë ta mësyjnë Krajl edhe Mbret.
Edhe kështu t’janë kapërthye
grykë për grykë Turq e Shqiptarë, (120)

pa dhimbë krenash tue u thye
si me thye kunguj npër arë.
T’iu dha zjarm atëherë Ballkanit,
Shkjau: kah drote se Shqipnia
Nji herë shkëputë dore s’ Sulltanit, (125)

mà s’do t’bite n’kthetra t’tija,
si atij hangër ia kisht’ palla:
merr e mësynë m’Turk fulikare,
e si derrat me çakalla
t’janë mbërthye, t’janë kapërthye: (130)

haju, ngaju, çaju, vraju,
m’ pushkë e m’top gjueju batare,
gjaku rrëmbè npër rrahe e qare,
e npër fusha e npër gajusha,
der’qi s’mbramit, n’p’r’ atë zhumhùr, (135)

zgjedhë s’ Turkut pështoi Shqipnia
e duel m’veti si dikùr:
si premtue kisht’Perëndija;
por si dashtë, besà, lum vëllau,
s’do t’kisht’ pasë as Turku, as Shkjau. (140)

Se s’ka dashtë Turku lirì,
ma merr mendja; veç un s’dij
Knjaz Nikollës kah gjith kjo zemër
ardhë i paska, qi nën themër
rob Shqiptarët po don me i shtrue, (145)

edhe atë tokë ai me pushtue,
për të cilën vetoi motit
shpata rr’fè e ‘i Gjergj Kastriotit?
E qi s’paska dert aspak,
se Shqipnì dhe Karadak (150)

krejt me atë punë po i làte n’gjak?
Zemra i ardhka prej Moskovit!
N’Petrograd Cari i Moskovit
Nji bè t’madhe po e kisht’ bà:
m’ e ndie plak e kalamà: (155)

se ai natë t’madhe s’do t’kremtote,
se ai kumbarë as krushk s’do t’shkote:
gostë as darsëm nuk do t’ngrifte,
s’do t’u late as s’do t’u krifte,
as s’do t’dilte n’log t’kuvendit, (160)

për pa i hi Stambollës përmbrendit,
për pa këcye mbi post të Mbretit,
me u bà zot i tokës e i detit;
edhe Europës tregun m’ia prè,
mos m’e lanë me shitë, me blè, (165)

mos m’e lanë me çilë kund punë;
por me bà qi ajo përdhunë,
për me çue ‘i grimë bukë te shpija,
rob të ngelte n’kthetrat t’tija,
n’ato kthetra me gjak zhye, (170)

mësue gjithmonë n’gjà t’huej me gërrye!
Por, pse ishte ‘i skile e vjetër,
si për fjalë ashtu për letër,
mos m’iu gjetë kund nji shoq tjetër,
ai po e dite mirë e hollë, (175)

se isht’ do punë me hi n’Stambollë:
se isht’do punë Turkun me e thye,
pa sharrue vetë mbrendë me krye.
Prandej xèn ai me trillue,
m’shpinë Shkjeninë Turkut m’ia lëshue: (180)

m’ia lëshue m’ shpinë Shkjetë e Ballkanit,
qi me i qitë këta punë Sulltanit;
me i qitë punë këta ‘i herë mà para
me trazime e punë t’pambara,
e mandej vetë prej Rusiet, (185)

si harusha prej pusiet,
me i rà Turkut fulikare,
m’zhbì n’vend, m’ e qitun fare;
për pa bà me mend pleqnì,
se me atë punë botën unjì (190)

mujte ndoshta, m’ e pështjellë n’zì
Kur ketë punë e ka pleqnue,
ka marrë trimi e n’odë ka shkue,
ka ndejë n’tryezë e asht vu me shkrue,
me u shkrue miqve kah Serbia, (195)

kah Zagrebi e kah Sofia
me lidhë besën shkaf asht Shkjà,
mbi Budin, m’çanak-kalà,
edhe tok këta ndërmjet vetit
mos m’ia dà të keqen Mbretit; (200)

por m’e nxitë, por m’e mërzitë,
m’iu vardisë si ‘i ditë për ditë,
herë për shtek, herë për kufì,
tash me peng tash me pleqnì,
por gjithmonë, po, pa kanu, (205)

veç si t’mujnë n’teposhtë m’e vu.
Mbasandej, ky zogu i Shkinës,
merr e i shkruen Knjazit t’Cetinës,
merr e ‘i letër, ia angllatisë,
me dredhì tue ia qindisë: (210)

Ti, qi jè qaj Knjaz Nikolla,
falmëshëndet Cari i Rusisë,
se zà t’madh për ty kam ndie
qi jè trim e gërxhelì,
qi jè burrë e kuvendtàr, (215)

me ta drashtë hijen anmiku,
por, me gjasë, kjo fjalë s’isht’ gjà;
pse qe ti m’atë rrasë Cetine
më kè ndejë me ‘i gjysmë opinge,
e jè bà, po, gazi i dheut, (220)

tue mërzitë miq e kumbarë,
veç e për bukë thatë në gojë.
Mje sa Turku, përbri tejet,
dredhun çallmën m’vetull t’synit,
derdhë shallvarët ai pala-pala, (225)

rrin e ban kokrrën e pallës,
e as m’e pà ti s’mund ta shofish
përmbas kodrës së pilafit
Po a thue, t’la ty kamba e dora,
ase ngjitë jè ndoshta n’rrogë, (230)

jo se hi kè bulk n’ e huejën,
qi s’po ndihesh kund për s’gjalli?
Mo’, bre burrë, se nuk ka hije
Urtë me ndejë Cubi i Cetinës,
edhe n’shpì me e shkuem ai motin, (235)

tue u ndeshë npër furka t’gravet!..
Po a s’ta mbushë synin Shqipnia,
me ato male të madhnueshme,
me ato fusha të blerueshme,
qi kurrkund s’jè kah orvate, (240)

me ia shkye ‘i skundillë për veti?..
M’ tè, krah-thatë, e mos rri fjetun!
Pse pa luejtë ti kambë e dorë,
s’t’ ndihmon Zot as i Shën Nikollë:
Por ti luej, nafaka luej, (245)

ka pasë thanë ai burri i huej;
sa për bukë e për fyshekë,
piqu n’mue, se t’i qes vetë;
edhe kësulën vène n’sy,
se të nget Mbreti i Stambollës: (250)

nuk ta là me t’prekë me pupël –
Letrën kështu Cari e ka shkrue,
edhe mirë e ka palue,
e e ka mbyllë me dyllë të zi;
ia ka dhanë kasnecit t’rì, (255)

me ia çue Knjazit n’Mal t’Zì.
Letrën n’gjì ka qitë kasneci,
ka thekë kambët ai sa mund heci:
ka lanë mbrapa fushë e zalle
kapërcye ka bjeshkë e male, (260)

edhe dalë ka lum e shè:
ka shtegtue për ujë e dhè,
der’qi’i ditë, tue marrun dielli,
në Cetinë ka behë ai filli:
shtjerrë opangat, grisun setrën; (265)

Knjazit n’dorë ku ka dhanë letrën,
me dyllë Cari si e kisht’ mbshilë.
Ka marrë Knjazi edh’ e ka çilë,
e ka çilë edh’ e ka këndue,
tri herë rresht ai e ka këndue, (220)

tri dit rresht edh’ e àsht mendue;
mbasandej ai fjalë ka çue
njatij Vulo Radoviçit,
kërkserdarit t’Vasoviçit,
qi me dalë me rà n’Cetinë, (225)

pa këqyrë shteg, pa këqyrun stinë:
me flut’rue si gjeraqinë,
për me u pjekë me “Gospodarin”.
Njeky Vuloja Serdari
Kisht’ pasë kenë nji trim i çartun: (280)

m’e pasë randë toka m’e bartun.
Pa tè prè kund s’ishte marrë,
pa fjalë t’tij ngarkue s’ishte marrë,
pague s’ishte varrë as gjak,
s’kishte vu nuse duvak, (285)

as s’isht’ dà gjyqë a pleqnì.
Pse edhe Turku i Malit t’Zì
po e kisht’ pasë shqipe mbi kry’,
mos m’e lanë me pà me sy.
-Se edhe ‘i punë, ky zogu i Shkinës, (290)

po e kisht’ bà m’atë udhë t’Cetinës.
Paska marrë e shi në rrugë
Për tërthuer shtrika nji stugë,
edhe i çueka fjalë tërthores,
qi shka àsht Turk i Cernagores, (295)

mos me mujtë m’e shkapërcye,
për pa là ‘i dukat për krye –
Bre! kish’ kenë edhe ‘i farë burri,
larg e larg me i dajtun turri.
Fëtyra e tij porsi duhia, (300)

syni i tij, tanë zjarm e shkëndia;
vet’llat trashë ngèrthye kulàr,
porsi lesh derrit bugàr;
vesh e m’vesh dega e mustakut,
si dy korba lidhë për lakut; (305)

edhe i mbrrijte kryet në trà:
burrë i atillë me sy me u pà.
Veshë e mbathë e m’armë shtërngue,
kishe thanë se àsht lè drangue.
Se këtè Knjazi fort e dote, (310)

fort e dote edhe e ndigjote;
pse edhe i urtë ai kishte ndodhë,
me ia prè mendja fort hollë.
Prandej Knjazi i çueka fjalë
Në Cetinë për ngut me dalë. (315)

Edhe Vulja bjen n’Cetinë,
pa këqyrë shteg, pa këqyrun stinë,
tue flut’rue si gjeraçinë.
N’atë Cetinë kur Vulja zbriti,
atè Knjazi mirë e priti, (320)

mirë e priti e n’odë e qiti,
i qiti duhan e kafe,
edhe nisi kështu t’bajë llafe: –
Ku jè, Vulo, eh kopilane!
Se ti ujk, po, né na u banè, (325)

ke s’po duke kah Cetina,
ku kè miq e probatina,
qi s’të ndërrojnë me sy të ballit?
Po, a kè mujtë? a kè farë hallit?
Si po t’shkon n’Vasoviq moti? (330)

Për jetë tande ! si do’ Zoti,
merr e i thotë Vulo Serdari;
pse sivjet, lum “Gospodari”,
nuk ka pasë toka valigë,
e ka ardhë nji kohë e ligë, (335)

sa nuk dij si ka m’iu bà,
për me pështue do rob e gjà,
pse edhe buka asht tue na lànë.
Hajt, eh qè’! Knjazi i ka thanë.
Se s’po gjenë cubi me ngranë. (340)

Se s’po gjenë skyfteri mish.
Se ti e nxjerrë korën dy fish!.
Mjaft t’i biesh ndo’i vendit prè,
se po e ban me lopë e qè,
sa me mbajtë njerztë e kujrisë, (345)

jo se mà gjindën e shpisë.
A din shka, Vulo Serdari,
ndiej shka t’thotë ty “Gospodari”:
pështilli bashkë nja disa cuba:
t’ idhtë si gjarpni ndër kaçuba, (350)

t’lehtë e t’shpejtë si gjeraçina:
edhe lëshoj ti kah Vranina,
për me vrà ata e për me prè,
për me djegun gur e dhè,
mbrendë tue vjedhë e tue plaçkitë, (355)

tue grabitë e tue robitë,
n’daç me natë e n’daç me ditë;
se un prandej të kam çue fjalë,
der’ n’Cetinë nji herë me dalë,
pse dishka mue tash m’ka këcye, (360)

prap me Turk me u kapërthye:
prap me Turk, po, na me u vrà.
Pse edhe as hije, thom, nuk kà,
urtë ma ndejun Turk e Shkjà.
E kështu, tue ligjërue, (365)

krye më krye tue bisedue,
hollë e gjatë e ka qortue,
si me u sjellë e si me u mprue,
për m’e là Vraninën n’gjak.
E si vesht janë marrë me fjalë, (370)

Knjazi n’bukë atè e ka ndalë,
edhe falë i ka do pare;
e i ka falë nji “xheverdare”,
krejt n’argjand kondakun ngrì,
mos m’e gjetë shoqja n’Mal t’Zi: (375)

m’e drashtë vjerrun në sërgjì,
jo mà n’krah të nji luftarit,
jo mà n’krah t’Vulo Serdarit,
qi isht’ me brè hekur me dhambë!
Atëherë Vulja àsht çue në kambë: (380)

ka bà Knjazit “tungjatjeta”,
edh’ àsht nisë malit përpjeta,
udhës me mend ai tue përblue,
si Vraninën me shkretnue,
Knjazi ashtu si e kisht’ qortue. (385)

www.ShkoderZemer.com

> ShkoderZemer.com Facebook <


Komento

Inserisci i tuoi dati qui sotto o clicca su un'icona per effettuare l'accesso:

Logo WordPress.com

Stai commentando usando il tuo account WordPress.com. Chiudi sessione / Modifica )

Foto Twitter

Stai commentando usando il tuo account Twitter. Chiudi sessione / Modifica )

Foto di Facebook

Stai commentando usando il tuo account Facebook. Chiudi sessione / Modifica )

Google+ photo

Stai commentando usando il tuo account Google+. Chiudi sessione / Modifica )

Connessione a %s...

%d blogger cliccano Mi Piace per questo: