Home » Letërsi » Arshi Pipa » Shoku i im Arshi Pipa

Shoku i im Arshi Pipa

Shoku i im Arshi Pipa

Prof. Sami Repishti
Me rastin e përvjetorit të parë të vdekjes:

Aeroplani që fluturon për Washington, D.C, sillet rrotull mbi kryeqytet në pritje të urdhnit për zbritje në aeroport. Koha asht shumë e keqe, me shi e erë të fortë, karakteristikë e stuhive jo të rralla në muejt e verës. Unë jam i tretun në kujtime, dhe nga dritorja shoh vetëm retë e zeza që mbulojnë qytetin, dhe që i përshtaten shumë mirë gjendjes sime shpirtërore. Arshiu ka vdekë, por akoma e gjej të vështirë me e besue.

Në Gadswell Funeral Home të Washingtonit, D.C,pjesëmarrësit presin në heshtje fillimin e ceremonisë së përkujtimit.
Përshëndes motrat e Arshiut dhe i ngushëlloj për humbjen e madhe të vëllaut të vetëm. Mandej, qetësisht, ulem në nji bankë pranë nji miku shkodran, kushëri i Arshiut. Shkëmbejmë mendime e kujtime për Arshiun që, tashma, shtrihet pa jetë në arkivolin e stolisun.

Atmosfera âsht solemne! Lulet rrethojnë kufomën si kunorë. Para nesh âsht i ndjeri Arshi Pipa, edukator, poet, kritik, letrar, intelektual i shquem dhe shtyllë e demokracisë shqiptare për pesëdhetë vjet. Asht Arshiu, shoku i vuejtjeve të përbashkëta dhe i mërgimit të hidhun.

Trupi i tij i lodhun nga puna e randë shtatëdhetë-e-shtatë vjeçare ma në fund u dorëzue. Fëtyra e Arshiut ka marrë pamjen e shlodhjes së plotë që siguron vetëm gjumi i vdekjes. Muskujt e fytyrës nuk janë të tensionuem, goja e mbyllun ruen një farë buzëqeshje non-shalante e më kujton shumë çastet e lehta të jetës së tij. Mjekra gjysëm e bardhë i përshtatet mirë moshës dhe flokëve pak të rralluem e të zbardhuem shumë vjet ma parë. Qepallat e mbylluna nën dy vetulla të trasha bojëhini mbështjellin sytë e tij dikur të ndritshëm e pak si të mekun, që nuk i shoh ma. Me duer të palueme mbi gjoksin e trupit të shkrimë nga sëmundja, Arshiu shtrihet para meje i ngrimë, pa jetë. Arshiu ka vdekë!

Arshiu ka lindë në Shkodër, ashtu si unë. Aty ka mbarue edhe studimet fillore e të mesme. Maturantët e ish-liceve të
Shkodrës, private dhe shtetërore, para vjetit 1994, nuk kanë qenë të shumtë, por ata që janë dallue në studime dhe kanë premtue shumë kanë qenë edhe ma të pakët. Arshiu ka qenë njeni nga ata që ka lanë gjurmë të pashlyeshme në jetën e shkollës që e edukoi – Kolegji Saverian – dhe në mendjet e kolegëve të tij. Ma vonë, në Universitetin e Firenze-s, ai shkëlqeu dhe na studentët ma të rinj mburreshim me atë, që në moshën 21 vjeçare filloi të jepte filozofi e letërsi në shkollat e mesme të Tiranës. Tri vjet ma vonë, murtaja komuniste e arrestoi, e torturoi, e dënoi dhe e dërmoi trupin e tij delikat në qelitë e errëta
dhe kampet komuniste të punës së detyrueshme.

U takova me Arshiun në fund të vjeshtës së vjetit 1956, pak ditë mbas Revolucionit Hungarez, dhe masakrave të Budapestit. Ishte një takim i rastit. Ai kalonte rrugës vetëm e i vetmuem. Unë, si punëtor krahu i NSHN-s, ishe caktue me hapë puset e zeza të Teatrit Migjeni që ato ditë po ndërtohej në Shkodër. E pashë. E thirra. U ndal e më veshtroi. Pa i dhanë kohë të mendohet shumë, i thashë: “Jam Samiu!”

Ai e preu për nji çast, e nuk foli. Mandej me hap të ngadalshëm u afrue në bregun e gropës. Buzëqesha, e ai m’u përgjegj me nji gjest sikur donte të thoshte: “Ku paske përfundue!”

Dola nga gropa i mbushun plot pluhun në fytyrë e trup, me rrobat e grisuna e duer të mbulueme nga balta. I shtrëngova dorën që më ofroi. Frika e gjithanshme na detyroi të mos flasim gjatë. “Due të shoh”, më tha. “Sonte rreth orës 9:00!” Pranova!
Mandej më spjegoi të mos trokitshe në derën e shtëpisë, por nën dritare, që të mos krijohej dyshimi tek fqinjët.

Ashtu veprova! Atë mbramje, në dritën e pakët të dhomës tij, u përqafueme për të parën herë. Folëm me za të ulët në nji atmosferë konspiracioni për ma shumë se dy orë. Aty u reflektue frika jonë e jetës me thikë në fyt dhe bindja se jeta në shoqëninë e re komuniste nuk kishte asnji kuptim, ashtu siç nuk kishte asnji kuptim edhe iluzioni se gjendja do të ndryshonte në nji të ardhme të afërt.

Aty përfundueme se edhe qendrimi jonë në Shkodër ishte shumë i rrezikshëm. I tregova se ekzistonte nji listë prej afër 400 vetësh, elementë “të padëshirueshëm” që do të ekzekutoheshin në mënyrë masive e pa gjyq nga Shteti komunist me rastin ma të parë të nji lëvizje antipushtet. I thashë gjithashtu se nji ish-shoku im, tashti oficer Sigurimi, më kishte tregue në konfidencë se emni i Arshiut dhe i imi, ishin në atë listë. Ishte e qartë se jetojshim me litar në grykë, në pritje të momentit fatal
që mund të mos vinte (ç’ironi!) nga xhelatët tanë. Fati jonë personal dhe i popullit tonë ishte në duert e largëta të Moskës së kuqe … !

U ndamë sikur të ishim dy miq të vjetër. U takuem përsëri disa herë, por jo shpesh, dhe gjithherë natën. Deri në një natë gushti të vitit 1957.

Ishte ditë e mërkurë. Arshiu trokiti në dritaren time. Nana u tremb. Unë dola jashtë, e përqafova, dhe hymë mbrenda. Arshiu ishte i tronditun.

“Kam vendosë të largohem nga Shqipënia!” më tha, “të Shtunden mbrama. E kam rregullue mirë këtë punë.” Dhe tue më
shikue drejt në sy, shtoi: “Eja me mue. Do të arrestojnë”

Nuk më erdhi i papritun lajmi, sepse ky ishte subjekti që trajtojshim vazhdimisht. I spjegova me gjysëm zani gjendjen e vështirë të familjes sime, që ishte e atillë sa të më gozhdonte në vend, e më detyronte të përballohem me rrezikun e nji arrestimi të dytë dhe dekada të gjata në burgjet dhe kampet komuniste. Arshiu nuk foli, uli kokën, dhe mandej si me pa dashje shtoi: “Do të marr motrën me vete … Nanën jo … asht shumë e plakun”. Më tregoi hollësitë e planit të arratisjes, dhe se si nji ish i
burgosun e kishte vue në lidhje me burrin që do të rrezikonte jetën me e ndihmue. Të dy ishin shokë të mi të burgut, të heshtun për natyrë, por guximtarë, të vendosun dhe besnikë, siç kanë qenë katundarët e rretheve të Shkodrës, racë e vjetër burrënore e lindun për sakrificë!

Heshtëm të dy. Instinktivisht u hodhëm në krahët e njeni-tjetrit në nji gjest solidariteti që asht i mundshëm vetëm për ata që ballafaqojnë vdekjen ose e presin atë së shpejti. Sepse, Arshiu dhe unë, në ato ditë ishim dy krijesa të mjera “të dënueme” dhe në pritje të ekzekutimit që mund të vinte çdo çast, pa lajmërim, si kosa e vdekjes! Me sy të përlotun, u ndamë.

Natën e së shtundes nuk fjeta fare, duke i kaluar orët e errësirës pranë dritares së hapun tue u lutë që qetësia e natës të mos shkyhej nga krismat e mitrolozit që korrte shpesh të rinj e të reja në përpjekjet e tyne për arratisje. Atë natë Arshiu me motrën Fehime, kaluan kufinin pa asnji incident dhe filluan jetën e re të mërgimit të detyruem …

Dy vjet ma vonë u arratisa. Heroi i Arshiut ka qenë edhe heroi im, me të cilin kishe lidhë nji miqësi shumëvjeçare gjatë viteve të burgut. Me gjithë përpjekjet e mia me e bindë të arratisemi së bashku, ai refuzoi. Përsëri “familja” e pengonte. Dy vjet ma vonë, i friksuem nga arrestimi, mori malin dhe u vra pak metra larg telave me gjemba të kufinit që rrethojshin Shqipëninë e mjerë gjatë viteve të terrorit të kuq.

Në aeroportin Ildewild (sot J.F. Kenedy) të Nju Jorkut zbrita me 9 prill 1962. Në sallën e pritjes gjeta Arshiun. U përqafuem. Ai ngriti valixhen e vogël me të gjitha leckat e mia të mbledhuna gjatë dy vjetëve në kampet për refugjatët shqiptarë në Jugosllavi e Itali. Unë i mora krahun, dhe i lumtun pa kufi, u drejtova kah dalja. Po hyjshe në jetën e re e premtuese!

Pyetja e parë që bani Arshiu ka qenë:

” E ke pa nanen?”

– Po! “i thashë. E kam pa dy javë para se të largohem … në nji dyqan frutash”.

I spjegova se si, e veshun me rroba të zeza, me nji pamje që të këpuste shpirtin, por trupin e drejtë e dinjitoze, me përshëndeti sa më pa. I shtrëngova doren e thatë nga mosha dhe vuejtja.

“Si je me shëndet?” e pyeta. “A mbahesh, si e kalon?”

Ajo buzëqeshi. “Mirë!” më tha shkurtimisht. Mandej, sikur i erdhi zani përsëri e shtoi:

“Ky paska qenë fati im … Ditën sikur kaloi disi, por mbramjet janë të vështira … Jam krejt vetëm. Kur shkoi në krevat, mendoj me vete … Arshiu e Fehimja janë të sigurtë, nuk kanë frikë nga Sigurimi. Ata kanë shpëtue … e ky mendim më qetëson”.

Heshti sikur donte të mblidhte ma shumë fuqi e me vazhdue.

“Por kur mendoj se nuk do t’i shoh përsëri, ndoshta kurr ma … atëherë nata më bahet shumë e randë, nuk më zen gjumi…” e filloj me qa.

Pa mbarue mirë fjalën, zani i saj u këput. Unë i hodha krahun rreth shpatullave të bame kockë. E afrova pranë meje. Ajo vuri kokën në parzmin tim, e trupi i saj i lodhun e i shkrimë u lëkund nga emocioni i mbrendshëm si trupi i nji zogu të trembun në duert e fëmijve. Lotët nuk pritshin njeni-tjetrin. E mbajta edhe ma fort pranë meje për ngushëllim atë krijesë të vetmueme që po kalonte ditët e vështira të pleqnisë vetëm e në skam, me frikën e përditshme të internimit …!

Ma në fund, plaka u tërhoq, fshiu lotët, rregulloi pak shaminë e zezë që i mbulonte kokën, më shikoi me nji buzëqeshje që mshehte kalvarin e saj e në heshtje u largue me hapa të ngadalshëm.

E ndoqa me sy gjatë rrugës që e çonte kah shtëpia këtë hije të veshun në rrobe të zeza, simbole të jetës pa gëzim që jetonte kjo krijesë fisnike, e që fati e kishte dënue me vuejtë deri në fund!

Kur mbarova tregimin, Arshiu uli kokën e nuk tha asnji fjalë. Vetëm Zoti e din se sa i randë duhet të ketë qenë ky moment për atë, për zemrën e ndjeshme të këtij djali të denjë për nji nanë aq të madhe. Ashtu si ai, edhe unë kishe lanë nanën plakë në duart e diktaturës së pamëshirshme, dhe në atë çast vllaznimi ndajshe me Arshiun dhimbjen e pafund të shkëputjes për së gjalli nga prindët që na lindën, na rritën me aq kujdes e ngrohtësi … e që na i deshtëm me gjithë zemër!

Për tri javë me radhë, Arshiu e unë ndamë së bashku dhomën ku ai banonte. Gjatë ditës, ai jepte mësime në Columbia
University, ndërsa unë kërkojshe punë në agjensitë e ndryshme. Në mbramje kalojshim orë të gjata me bisedime mbi gjendjen në Shqipëni, e natyrisht për familjet tona të braktisuna. Pa kalue shumë kohë, kuptova se pesë vjet në emigracion, e sidomos vitet në Shtetet e Bashkueme, kishin ba efektin e tyne mbi Arshiun. Horizonti i tij politik ishte zgjanue, dhe sidomos trajtimi i subjektit tonë ma të dhimbshëm, diktatura e kuqe, tek Arshiu randonte ma shumë kah racionalja dhe kontrastonte me emocionalen time, të nji të porsa-ardhuni. Ai përpiqej të spjegonte tragjedinë komuniste të Shqipënisë në nji përqindje të madhe me falimentimin e regjimeve të kalueme, për të cilët nuk kishte shumë tolerancë, sidomos me “orientalizmin” e thellë në mentalitetin e popullsisë. Por, mbrenda në zemër, Arshiu ishte i vramë!

Arshiu kishte zhvillue gjithashtu nji sensibilitet të dukshëm për padrejtësitë që vërente në shoqërinë amerikane. Si profesor në nji kolegj zezakësh në Little Rock, Arkansas, ai kishte jetue prima facie, realitetin e diskriminacionit racial, dhe ishte revoltue.Si plotësim i kuadrit, ai kishte dhanë mësim gjithashtu në rrethet “aristokratike” të Columbia-s, dhe Georgetown University Washington, D.C., aty ku elita e rinisë së popullsisë së bardhë përgatitet për drejtimin e fatit të kombit amerikan. Kontrasti e kishte vra Arshiun shpirtnisht, dhe natyra e tij e ndjeshme ishte përgjegjë pa shumë rezistencë … !

“Moralisht, unë i takoj së majtës”, më tha nji ditë Arshiu. Ajo që francezët quejnë “l’ethique du gauche” ishte zgjidhja e problemit të tij moral. Dhe besoj se kjo ka qenë arsyeja që Arshiu, i burgosun politik për dhetë vjetë nga diktatura e kuqe, përkrahu lëvizjen studenteske të Berkeley University, Kaliforni, që u zhvillue gjatë viteve 60 dhe 70, e njohun si “free speech movement”. Ky konglomeracion i paformë, por vokal dhe i artikuluem, do të bahej ma vonë lëvizja e gjanë rinore që “revolucionarizoi” shoqëninë amerikane me liri të pakufizueme në muzikë, seks e drogë: “Free your body, free your mind”.
Efektivisht, asht e para që fitoi …! Ky slogan ndigjohej kudo dhe mbrohej me kambëngulje nga të rinjt universitarë dhe ma vonë edhe nxanësit e shkollave të mesme. Arshiu ishte magjepsun nga ky shfrim revolucionar i rinisë në hedhjen poshtë të vlerave shoqënore “tradicionale”, dhe reklamim i lirisë pa kufi. Ma vonë kjo lëvizje mori karakter politik, sidomos me luftën agresive në Vietnam, dhe u përkrah mga masa të gjana popullore që undërshtojshin këtë konflikt shumë antipopullor. Arshiu thithte i entuziazmuem ajrin plot barut të kësaj atmosfere revolucionare në kampet universitare amerikane, nji qendrim që e bani atë edhe nji kritik të fortë të politikës së jashtme amerikane dhe të shfaqjeve të diskriminacionit në mesin e shoqënisë amerikane.

Ky formim i ri i Arshiut reflektohej edhe në mënyrën e tij të jetesës: i thjeshtë, me nji pakujdesim të theksuem në veshje e mirëmbajtje. Arshiu jetonte në ato vite nji jetë autentike, besnik i bindjeve të tij të mbrendshme – “la bonne foi existentialiste”.

Në shtator 1966, Arshiu kaloi në Universitetin e Minnesota, në nji qytet të pastër të përbamë kryesisht nga emigrantë të
Evropës Veriore. Ai u gjet në nji ambient krejt të ndryshëm nga ai i mish-mashit në Berkeley University, në nji shoqëni që ai përfundimisht admironte për çiltërsi të individëve dhe ndershmëni kolektive të vendasve. Sa herë që vizitonte New York-un, i cili ato ditë po transformohej nga influksi i madh i refugjatëve nga ishujt e Karaibeve dhe Amerikës latine, ai shihte kontrastin e madh në mes të dy vendeve. “E pabesueshme”, thonte, “sikur nuk jetojmë në të njajtin vend!”

Në Minnesota, Arshiu u qetësue. Në kondita optimale për punë, dhe i respektuem nga studentët e kolegët, ai gjeti kushtet që kërkonte për punë kërkimore. Pjesa e madhe e veprimtarisë intelektuale dhe e kërkimeve u ba në këtë vend dhe në këtë atmosferë. Gjatë pushimeve të gjata dimnore, ai pushonte në nji shtëpi pranë liqenit Lake Superior, rrethue nga bora e në nji qetësi absolute.

Gjatë pushimeve verore Arshiu vizitonte qendra studimesh e biblioteka evropiane, sidomos në Itali. Kërkimet e letërsisë dhe historisë arbëreshe e kanë tërheqë gjithherë. Atje njohu shumë shkollarë e kolegë universiteti me të cilët mbante korrespondencë të rregullt. Ndërkaq, biblioteka e tij personale po rritej çdo ditë, ndërsa mundësia e studimit pakësohej për arsye të moshës e të shëndetit. Me daljen në pension, ai zuni vend në Washington, D.C. pranë motrës Fehime, në njiapartament të mbushun me libra.

Gjatë nji vizite, Arshiu më tregoi me krenari disa koleksione të revistave të vjetra shqipe dhe nji seri raftesh me libra të radhuem me kujdes. Nji kënaqësi të veçantë tregonte për revistën Albania të F. Konicës dhe botimet e shqiptaro-amerikanëve.

Hera e fundit që e takova ka qenë në maj 1996. Atë ditë bashkësia shqiptaro-amerikane mbushi Sheshin Lafayette të
kryeqytetit amerikan, para Shtëpisë së Bardhë, me pankarta dhe flamurë shqiptarë e amerikanë dhe me brohoritje për nji
Republikë të Kosovës, të lirë dhe neutrale.

U shkëputa nga demonstrata dhe shkova në apartamentin e Arshiut. Më priti me gëzim e kuriozitet. Donte të dinte mbi atë që zhvillohej përjashta. Ai vetë ishte i lodhun për pjesëmarrje.

Por thelbi i bisedimeve tona ishte përsëri gjendja në Shqipëni dhe zhgenjimi jonë për zhvillimin e padëshirueshëm të lëvizjes demokratike në fatmjerin vendin tonë. Qendrimet autoritare që kufizoheshin me diktaturën personale të presidentit, e sidomos qëndrimit jo-miqësor që qeveria Meksi tregonte kundrejt forcave të “së djathtës” e shqetësojshin shumë. Arshiu në vitet e fundit kishte ba nji kthesë të plotë. Tani, ai mendonte se forcat politike të së kaluemes mund ta shpëtojshin Shqipëninë dhe për këtë shkroi edhe në gazetën Dielli.

Shkodra, gjendja e qytetit tonë të lindjes, dhe ardhmnia e saj, ishin nji subjekt që e biseduem gjatë, me zemër të thyeme e pesimizëm. Mbrapambetja e qellimshme pesëdhetë vjeçare kishte atrofizue jetën ekonomike e kulturore të qytetit dhe fondet e nevojshme për ringjallje nuk dukeshin askund. “A dying city!”

Ideja e nji qyteti “të dënuem me vdekje” na torturonte të dyve. Të ndërgjegjshëm për pamundësinë tonë me ndihmue, të dy e ndiejshim veten të mundun. Në dhomë u krijue nji atmosferë e randë që u përpoqem ta shpërndajmë me bisedime mbi subjekte, që në vetvete, për ne muk kishin ndonji interes të veçantë. Ishte nji pamje e dhimbshme: dy dashnorë të Shkodrës të zhgënjyem e të deshpruem!

U largova mbas nji përqafimi të ngrohtë dhe urimet e zakonshme për shëndet të mirë. Por shëndeti i Arshiut po keqësohej çdo ditë, dhe mbas disa ndërhyrjeve kirurgjikale që e munduen shumë, trupi i tij u lodh, derisa u dorëzue me 20 korrik 1997, në Washington, D.C.

10 korrik 1998

Baldwin, New York, USA

Prof. Sami Repishti

Shënim: Ndërmjetësi për gjetjen e “burrit” që ndihmoi Arshiun me kalue kufinin, ka qenë i ndjeri Malo Kraja. Ndërmjetësi im ka qenë i ndjeri Muhamet Fejza, ish-student nga qyteti, nji i ri me zemër florini. “Burri” që rrezikoi jetën me ndihmue Arshiun dhe mue në arratisje ka qenë i ndjeri Muho Saiti, nga katundi Vithgar i Anës së Malit, të cilin Arshiu dhe unë e kemi quejtë gjithherë “hero”. Të tre kanë qenë ish të burgosun politikë.

Dimensionet te reja nga arkivi i disidentit Arshi Pipa

Nje seri veprash nga arkivi i disidentit Arshi Pipa eshte prezantuar dje ne ambjentet e Bibliotekes Kombetare. Te zgjedhura nga shtepia e librit “Phoenix”, keto vepra plotesojne kolanen e botimeve speciale te mendimit shqiptar. Jane kater vellime, per te cilat kane menduar te vijne deri ne kete dite dy motrat e poetit Fehime Pipa dhe Nedret Kalakulla, te pranishme ne promovim. Pas botimit te dy librave “Rusha” e “Libri i burgut”, keto vellime te fundit, te perzgjedhura dhe te qemtuara, vleresohen si shume te rendesishme per Pipen shkrimtar e perkthyes. Nderkohe, fushat humane qe ai levroi kane vend per kritiken, publicistin, linguistin etj. Studiuesit e letrave Koci Petriti e Stefan Capaliku theksuan rendesine e ardhjes se Pipes me keto faqe te panjohura, si dhe vazhdon te mbetet e tille nje pjese e mire e vepres se tij. Sipas tyre Arshi Pipa, ben pjese ne ata pak krijues e personalitete te mendimit qe sa ishin gjalle i ka ndjekur fati i shkrimtarit pa lexues. Eshte momenti kur vepra e tyre pret te fitoje dimensione te tjera dhe te kaloje nga qarqet intelektuale, ne ato me te gjera deri tek shkollaret.

“Lundertare” eshte libri i pare poetik qe Pipa i ka bere bashke ne vitin ’44. Jeta e te riut, mosha me deshiren per udhetim dhe arrati ne kete vellim eshte transfiguruar ne lirike. “Dhe sa e ambel eshte me e pa vehten si ishe njihere!” Ne parathenien e po atij viti qe shoqeron vepren, Pipa shpjegon kete rendje tek poezia “pse kjo asht kur e dheshmja bahet qiellore dhe erresira bahet drite”. Ne kete botim te ri permbledhja “Lundertare” shkon bashke me “Librin e Dashurise dhe te fatit”, ku perfshihen krijime mbi metafiziken e shpirtit dhe fatit. Ne krijimtarine e Pipes ky ka qene momenti kur ka provuar si bie “rasa”. “Rasa e verbet asht shndrrue ne Fatin e papercaktuem, qe poeti do te shkoje tue diktue.”

Ajo qe e ka mbajtur gjalle gjate dhjete viteve ne burg, perben vepren II ose “Autobiografine”, e cila ndahet ne pese pjese. “Juvenilia” mbledh bashke perkthime nga poezite e ciklit “Lundertare”. Pjesa e dyte eshte perkthim ne italisht i poezise se vitit 1969, perkthime te lira serish ne italisht dhe anglisht nga “Libri i Burgut”, gjithashtu poezi te shkruara per vendin e lindjes. Lexuesi ve re periudhen e zbrazet ne krijimtarine e Pipes, pas hyrjes se tij ne nje “bote te re” (ne vitin 1958 ai arratiset drejt Amerikes). Dy pjeset e tjera te ketij vellimi jane poemat qe ai krijoi gjate qendrimit dhe proves se kesaj bote.

Pipa si perkthyes prej latinishtes sjell ne vepren III “Lyrika latine”, perfunduar ne vitin 1958 ne Sarajeve. Behet fjale per dy mije vargje nga lirikat ose copa lirike nga me te njohurat te autoreve latine. Ketu lexuesi gjen “Shenime mbi Metriken”, si nje koment estetik per secilin poet. Historiku i lirikes latine perfshin liriken popullore me poetet Lukreci, Katuli, Virgjili, Horaci, petet elegjiake, Properci, Tibuli, Ovidi, Martiali etj. Arshi Pipa per sa i perket perkthimit ben pjese ne ata pak latinist. Gjithashtu keto perkthime ndiqen nga arsyet qe ai jep per zgjedhjen e dialektit ne gegerisht apo toskerisht qe ka shfrytezuar per poete latin te vecante.

Libri IV ose “Shembuj nga lirika evropiane moderne” eshte nje antologji e poezise boterore duke pershkuar rrugen nga Dante tek Rimbaud. Poezite e mbledhura ne kete vellim, Pipa i ka trasheguar prej shokut te rinise Ruzhdi Cobo, fletorja e te cilit i bie ne dore vetem ne vitin ’92, kur viziton Shkodren. Perkthimet e ketij vellimi i mbeten struktures ritmike te origjinalit dhe kronologjise. Ato nisin me humanistet italiane Dante, Petrarka, Leopardi dhe perfundon me “aventurieret” simboliste te shek.XIX, ku bejne pjese simbolistet Rimbaud, Baudelaire, Verlaine.

www.ShkoderZemer.com

> ShkoderZemer.com Facebook <


Komento

Inserisci i tuoi dati qui sotto o clicca su un'icona per effettuare l'accesso:

Logo WordPress.com

Stai commentando usando il tuo account WordPress.com. Chiudi sessione / Modifica )

Foto Twitter

Stai commentando usando il tuo account Twitter. Chiudi sessione / Modifica )

Foto di Facebook

Stai commentando usando il tuo account Facebook. Chiudi sessione / Modifica )

Google+ photo

Stai commentando usando il tuo account Google+. Chiudi sessione / Modifica )

Connessione a %s...

%d blogger cliccano Mi Piace per questo: