Home » Historia

Historia

Historia e Shkodres

Prejardhja e emrit
Origjina e emrit të saj, SΚΟΔRΙΝΩΝ (Scodra në transkriptimin latin), mendohet të jetë vendi ku shkon Drini (Shko Drinon), kur erdhën agresorët turq në Mesjetë e quanin İşkodra ose Işkenderiyye nga Işkender duke pandehur se banorët e këtij qyteti ishin të bijtë e Aleksandrit të Madh (Skënder, emri i myslimanizuar) për nga trimëria që shfaqnin në beteja, nga ku Barleti nxjerr një tezë se Shkodrën mund ta ketë themeluar Aleksandri i Madh, por faktet dëshmojnë për më të vjetër.

Trashëgimia kulturore e Shkodrës për kombin Shqiptar
Trashëgimia kulturore e Shkodrës për kombin Shqiptar fillon që në shek. XV ku ishte qendër e Humanizmit. Nga ky ambjent dolën në dritë humanistë e mendimtarë të shquar, si Marin Barleti e Marin Beçikemi [6], që me veprat e tyre nxitën në futjen e qytetit në vepra e studime e shkenca të aplikuara. Matematicieni Gjon Gazulli, u konsiderua si një nga astronomët më të shquar të kohës. Dallohet me një nga shkollat më të para në trevat shqiptare më 1698. Historiani E. Jacques shton se edhe të tjera shkolla u hapën “në Pllanë, një fshat afër lumit Mat, më 1638, në Troshan, më 1639″. Shkodra ka pasur observatorin e parë astronomik në Ballkan. Por të dhënat tregojnë se “akademia” kulturore për të cilën shquhet ky qytet fshihet pas shekujve e shekujve.
Gjatë qindvjeçarëve Shkodra ka qenë një metropol i qytetërimit shqiptar e madje ballkanik. Për disa dhjetëvjeçarë shteti komunist e pati zyrtarizuar një tezë të çuditshme, sipas së cilës e para shkollë shqipe në trojet shqiptare është hapur vetëm në vitin 1887 në Korçë. Në kujtim të kësaj ngjarjeje 7 marsi qe shpallur si dita kombëtare e mësuesit. Shkolla e Korçës bashkë me poezinë e Naim Frashërit që i thotë “ta paçim për jetë hua” ka atë rëndësi që ka, por të dhënat historike janë të tjera, krejt të tjera.
At Donat Kurti në një studim të botuar te Hylli i Dritës më 1935 flet për të parën shkollë shqipe në vitin 1638. Si të parat shkolla “për sa dijm ná” ai përmend “tri: shkolla e Pdhanës (lexo: Pllanës), e Blinishtit e e Shkodrës”. Për të parën thotë se është hapur më 1638. Ndërsa studiuesi amerikan Edvin Zhak (Edwin Jacques) në librin e tij të njohur “Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme” (The Albanians: An Ethnic History from PreHistoric Times to the Present) i çon shkollat e para shqipe pak më përpara në kohë, në vitin 1632.
“Shkolla e parë, e dokumentuar, në gjuhën shqipe u hap në Velë të Mirditës më 1632”, shkruan ai. Por kjo nuk ishte e vetmja. Sipas tij “Një tjetër shkollë mjaft e hershme ishte hapur në Kurbin më 1632.”

Kemi në këtë qytet shkrimtarët, gjuhëtarët, historianët e parë të vendit. Në shekujt XI-XIII kemi Statutet e Drishtit e të Shkodres, dëshmi të një kulture juridike pararëndëse e pushtuesve. Ilustrimi i gjallë i kësaj shkalle të lartë zhvillimi janë Kodikët e famshëm të qytetit mesjetar, të zbuluara së fundi në Venezia. Në shek. XVIII – XIX kemi institucionet e para shtetërore që pasqyrojnë lidhjet e Shkodrës me botën e qytetëruar evropiane. Për herë të parë në Shqipëri zhvillohet arti, sporti, lindin muzetë dhe bibliotekat. Më pas u çelën shumë shkolla të tjera. Derisa më 1878, pra një dhjetëvjeçar para “shkollës së parë shqipe”(!) të propagandës së diktaturës, në qytetet veriore shqiptare e deri në Durrës, siç nënvizon studiuesi amerikan, “kishte 21 shkolla të tjera fillore shqipe, që zhvillonin veprimtarinë e tyre”. Ai sqaron se secila prej këtyre shkollave kishte rreth tridhjetë nxënës, përveç asaj të Prizrenit, e cila kishte tetëdhjetë”.
Për arsye të njohura historike këto shkolla fillimisht u hapën në rrethinë: në Shkodër dhe në përgjithësi në qytete pushtuesi kishte kontroll të fortë, të përqëndruar, dhe kjo e vështirësonte deri në pamundësi hapjen e një shkolle shqipe. Shkollat ishin fetare, katolike. Kjo përmasë ishte e kuptueshme për kohën, nuk mund të ishte ndryshe. Katolicizmi përfaqësonte fenë e parë të shqiptarëve. Në ato kushte sidomos, kur nëpërmjet trysnive me e ndërrue fenë pushtuesi synonte deri asimilimin, mund të thuhet se katolicizmi ishte pjesë qenësore e identitetit shqiptar. Në këtë hulli është edhe Kuvendi i Arbërit, i mbajtur më 14-15 janar 1703, të dielën e dytë të Epifanisë, në Kishën e Shën Kollit në Mërkinjë të Lezhës. Siç dihet ai u organizua me nismën e nën kujdesin e drejtpërdrejtë të një pape të madh, Klementi XI, Albani. Studiuesit kanë vënë në dukje se nën veshjen fetare të këtij kuvendi të organizuar prej një pape me gjak shqiptar fshihej edhe synimi i madh me e mbajtë gjallë shqiptarizmën, në kushtet e pushtimit osman.
Katolicizmi përfaqësonte kulturën dhe qytetërimin perëndimor. E. Zhak citon një klerik françeskan shqiptar të quajtur Leonardo, i cili, lidhur me thelbin e këtyre shkollave, pohon: “Ne jemi më shumë misionarë të qytetërimit se sa të fesë”.
Është një ndër shërbimet më të këqija që i bëhet lënies (kombit) shqiptare dhe padyshim një investim për llogari të qarqeve parake etnonacionaliste ballkanike. Të gjithë diktatorët e rroposin popullin e vet, por jo edhe qytetërimin e trashëguar, kulturën e gjuhën e tij. Ajo që ka ndodhur e pjesërisht po ndodh edhe sot Shqipëri, është e pakundshoqe në llojin e vet. Me sa duket ishte quajtur politikisht më e dobishme që, për inat të Shkodrës e të Veriut kundërkomunist, për urrejtje ndaj katolicizmit e qytetërimin perëndimor, le të fundohej edhe trashëgimia kulturore e qytetërimi evropian i kombit. Me fjalë të tjera, jo nusja që kruhej me mullixhinë, por plaka shtrigë klithi: për inat të sime ré tim bir e shtifsha në dhé! Historiani amerikan Edvin Zhak në veprën e naltpërmendur shton se më 1877 në qytetin e Shkodrës kishte edhe një “qendër me ndikim për arsimin e lartë, Kolegja e Shën Françesk Savierit, që pajiste me arsim teknik e tregtar rreth 400 studentë”. Dokumentohet kjo datë, por nuk dihet: mund të ketë qenë hapur edhe më parë. Në studimin që e përmenda më lart At Donat Kurti jep edhe një të dhënë të mrekullueshme për marrëdhëniet e vendit tonë me atë revolucion teknologjik që e tronditi botën kulturore me fuqinë e jashtëzakonshme shtytëse që u dha botimeve dhe kulturës në tërësi: për lidhjet me shtypshkronjën. Ai thekson se shtypshkronja kishte hyrë në Obot “fill mbâs të gjetunit”, domethënë fill pas shpikjes së saj nga Gutenbergu. Shtypshkronja e Obotit, shkruan At Kurti, njihet më 1493. Kjo do të thotë se ajo ishte futur në Shqipëri vetëm 38 vjet pasi Gutenbergu i dhá vendit të vet dhe botës prodhimin më të famshëm të krijesës së tij: Biblën e shtypur në shtypshkronjën e vet. Tridhjetë e tetë vjet për atë kohë janë si tridhjetë e tetë ditë sot, ndoshta më pak. Ai përmend edhe shtypshkronjën tjetër të Shkodrës, që njihet më 1563, por nuk përjashtohet që edhe kjo të jetë më e hershme; Thuhet që njëfarë Shtjefni nga Shkodra pruri nga Venediku dhe ngriti një shtypshkronjë dhe në vitin 1563 shtypi një libër kishtar. Shtypshkronja, siç dihet, vlerësohet si një prej shpikjeve më të mëdha të gjithë kohëve. Studiues të ndryshëm e vendosin Johann Gutenbergun, autorin e kësaj shpikjeje, ndër njëqind njerëzit më me ndikim në historinë e njerëzimit. Madje amerikani Majkëll Hart (Michael H. Hart), e rendit të tetin sipas këtij kriteri. Futja kaq e vrullshme, e menjëhershme, e kësaj teknologjie dëshmon se në Shkodër e rrethina lidhjet me Perëndimin ishin të drejtpërdrejta; dëshmon se aty kishte një jetë intelektuale të dendur, plot energji, aty shkruhej, krijohej, botohej, përhapej kulturë. Duhet përmendur më pas shtypshkronja e Jezuitëve në vitin 1871, ku sipas studiuesit e gjuhëtarit Hamdi Bushati, në këtë shtypshkronjë, që nga viti 1871 e deri në 1938 janë shtypur 411 tituj. Pas kësaj u hapën edhe të tjera si “At Gjergj Fishta”, apo e Françeskanëve.
«…më 1861 Françeskanët themeluan (në Shkodër – N.B.) seminarin e tyre në të cilin mësohej edhe gjuha shqipe. Pastaj më 1877 Jezuitët themeluan në Shkodër një tjetër qendër me influencë për arsimin e lartë, Kolegja e Shën Françesk Saverit, i cili pajiste me arsim teknik e tregtar rreth 400 studentë. Një risi shkencore në Kolegjin e Saverit ishte Observatori Meteorologjik, i themeluar aty më 1888, si i pari Observator astronomik në Ballkan. Ai vazhdoi shërbimet e tij të vlefshme deri më 1946, kur u konfiskua nga regjimi komunist. Një vit më pas (1878) motrat stigmatine themeluan shkollën femërore Françeskane për 200 vajza. Në atë kohë njoftohej se kishte 21 shkolla fillore të tjera shqipe, që zhvillonin veprimtarinë e tyre në Durrës dhe në qytete të tjera Veriore. Secila prej tyre kishte rreth tridhjetë nxënës, përveç asaj të Prizrenit që kishte tetëdhjetë…» nga E. Jacques
«…interesant është fakti se sipas dokumentave të pseudohistorianëve komunistë, në Shkodër komuniteti ortodoks (pra popullsi jo vendase, por e ardhur vonë për nevojat e veta) ka pasë hapur shkollën e tyre që në vitin 1835, ose më saktë ata “vërtetojnë” se ne autoktonët paskemi hapur shkollat tona plot 52 vjet më vonë se jabanxhinjtë e përjetshëm serbo-malazezë. Natyrisht kjo logjikë që u shkonte për shtat komunistëve e padronëve të tyre sllavë, tani në demokraci duhet të “demaskohet” e hidhet në koshin e plehrave si vetë sistemi e ideologjia që ka 14 vite që e lamë pas. Ne veriorët e kuptojmë se po të ishin këto shkolla shqipe në trevat e Jugut nga ishin kapot komunistë me siguri do të ishte zgjedhur një nga këto shkolla e data që dëshmojnë rreth të paktën 350 vjet jetë të shkollës së re shqipe. Por për t’u realizuar kjo ishte nevojitur edhe një “ndryshim” tjetër, pasi besimtarët që hapën e zhvilluan këto shkolla nuk duhej të ishin katolikë, por ortodoksë, si vetë mëma e komunizmës. Natyrisht gjithçka është deformuar e shëmtuar nga historia jonë, duhej të korrigjohej në këto vite të pluralizmit e demokracisë duke shkuar në Europën e Bashkuar origjinal e me curriculumin e vërtetë që na kanë përcjellë shekujt së bashku me Europën së cilës i përkasim. Por, si gjithnjë ne vazhdojmë të tregohemi të vonuar… Pse???» nga Ndue Bacaj.
Fillon arti i dritëshkronjës nga italiani Pietro Marubi me foton e parë të Hamza Kazazit më 1858, dhe më vonë, shfaqja e parë kinematografike në Shqipëri në vitin 1912 nga Kólë Idromeno, e energjia elektrike. Biblioteka “Marin Barleti” disponon 230 000 libra. Të ndarë në 10 fonde:
1. Fondi mbi albano-balkanologjinë (mbi 6.000 vëllime);
2. F. i librave shqip (mbi 66.000 v.);
3. Kronika e gazeta (mbi 23.000 koleksione);
4. Libra në gjuhët perëndimore (mbi 32.000 v.);
5. F. i librit tekniko-shkencor (mbi 24.000 v.);
6. F. i librave për fëmijë (mbi 34.000 v.);
7. Libra antik (1.450 v.);
8. Fondi – arkivi i librit shqip (mbi 15.000 v.);
9. F. i dorëshkrimeve (154 njësi);
10. F. i studimeve (260 tituj)
Ekzistojnë institucione të ndryshme kulturore, si Qendra Kulturore, Fototeka Marubi, Shoqata e Shkrimtarëve e Artistëve, Teatri Migjeni (i emëruar mbas Millosh Gjergj Nikolla), Galeria e Arteve, Muzeu Historik. Shkodra është qendra e Katolicizmit Shqiptar dhe një nga qendrat shpirtërore kryesore e katolikëve në Shqipëri. Ndërtime historike janë Kalaja e Shkodrës, Banja e Vogël, Xhamia e Plumbit, Ura e Mesit, Katedralja e Shkodrës, Prefektura që dëshmojnë ndikimet e shumta kulturore në qytet. Kalaja u mori famë të madhe kur në Luftën e parë ballkanike u mbrojt nga patrioti Hasan Riza Pasha dhe Esad Pasha.
Shkodra është e famshme gjithashtu për shkollimin Islam. Qendra e disa institucioneve që japin edukim të nivelit të lartë në studime arabike, e ka prodhuar studioz të mirënjohur myslimanë si Shaykh Nasirudin Albani.
Tradita e bibliotekave në Shkodër është shumë e hershme, madje fillesat e saj shkojnë qysh prej periudhës ilire. Një shqiptaro-kroat i njohur me emër Aleksandër Stipçeviç, në “Historinë e librit” shënon se në Iliri ka pasur 72 biblioteka dhe disa syresh kanë qenë edhe në Shkodër. Nga ana tjetër, në veprën e Marin Barletit, “Rrethimi i Shkodrës” thuhet se ka pasur anale të shkruara në gjuhën e popullit. Sipas të dhënave të Daniele Farlatit në “Illyricum Sacrum”, “qendra të rëndësishme të administratës e kulturës me arkiva e biblioteka të famshme kanë qenë arqipeshkëvitë e Durrësit, Tivarit, Shkodrës e Shkupit”. Madje Shkodra njihet edhe si bërthama e parë e bibliotekave publike në Shqipëri. Në vitin 1917, u hap e para bibliotekë shtetërore e quajtur Biblioteka e “Komisisë letrare”, që u drejtua nga shkrimtari dhe publicisti Hilë Mosi, që luajti një rol të rëndësishëm në procesin e krijimit të bibliotekave, pasi ai për herë të parë futi konceptin e kopjes së detyruar.
Disa vite më vonë, kur u krijua shteti shqiptar, banorët e Shkodrës ia falën këtë bibliotekë Tiranës dhe në 28 nëntor 1922 u krijua Biblioteka Kombëtare me një fond prej 6 mijë librash. Sipas rendit kronologjik bibliotekat e Shkodrës i përkasin viteve: 1683, Biblioteka Bogdani, 1750 Biblioteka e Myftiut të Tabakëve apo Këllyçit, e cila fatkeqësisht nuk ekziston më, sepse u dogj. Ka qenë shumë e pasur me dorëshkrime në gjuhën orientale dhe ka tërhequr gjithnjë vëmendjen e studiuesve të huaj, 1834 biblioteka e Vakëfit, në 1858 biblioteka e Etërve Jezuitë, 1875 Biblioteka e Françeskanëve, 1899 e Shoqërisë “Bashkimi”, 1901 e Shoqërisë “Agimi”, 1911 e Klubit “Gjuha jonë”, në vitin 1917 e “Komisisë letrare”, 1919 e Shoqërisë Vllaznia. Duhet theksuar që në këto biblioteka kanë shërbyer albanologë nga më të shquarit, si Hilë Mosi, Zef Valentini, i cili edhe pse ka qenë italian, e ka quajtur veten gjithnjë shqiptar, apo Gjergj Fishta, Hamdi Bushati, Anton Harapi, Kolë Kamzi, etj.

Besimet Fetare në Shkoder
Në qytetin e Shkodrës ekzistojnë tradicionalisht tre komunitete fetare: Musliman, Katolik dhe Ortodoks. Secili prej tyre ka institucionet dhe objektet e veta të kultit.
Krishtërimi në Shkodër i ka rrënjët të herëshme dhe sipas burimeve historike qysh nga fundi i shek.IV ajo ishte qendër arqipeshkvije. Besimi musliman ka filluar të përhapet këtu, nëpërmjet konvertimit të popullsisë qysh në shek.XV. Si në gjithë vendin edhe në Shkodër, gjatë viteve ’60, diktatura komuniste ndaloi me ligj praktikimin e besimit fetar, duke shkatërruar edhe objektet e kultit, të cilat kishin edhe vlera të rëndësishme historike, arkitekturore e artistike. Në fillim të viteve ’90, me vendosjen e sistemit të ri demokratik, institucionet fetare u riorganizuan, u rikonstruktuan ose u ndërtuan objekte të reja të kultit dhe nisi praktikimi i lirë i fesë nga qytetarët.

Shkodra, një nga metropolet e ekonomisë e të kulturës në Ballkan, i hapur e tolerant ndaj kulturave të ndryshme lindore e perëndimore, mund të konsiderohet me të vërtetë simbol e model i bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare.

Gjeografia
Shtrihet për rreth 16,46 km² në nyjën hidrografike me pranë liqenit me të njëjtin emër dhe lumenjtë Drin, Bunë dhe Kir në një ultësirë të “mbrojtur” nga liqeni, Alpet Shqiptare në lindje ku spikasin majat e Cukalit (1.722 m), Maranaj (1.576 m), Sheldies (mali Sardonik i Barletit; për nga Shurdhahu) dhe Taraboshit (rreth 700 m) në perëndim dhe deti Adriatik. Në një rreze prej 45 km mund të arrihen ranishtet në Adriatik, shëtitjet e alpinizmi në Alpe, e kanotazhi nepër lumenj. Shkodra është një ndër qytetet më të rëndësishme të Shqipërisë. Në rrethin e Shkodrës ndodhen hidrocentralet më të mëdha të vendit: ai i Vaut të Dejës dhe i Komanit të cilët janë përcjellësit kryesor të energjisë elektrike në shtëpitë e shqiptarëve. Qyteti vizitohet nga turistët gjatë gjithë vitit dhe ofron turizëm të shumllojshë ku vlen të përmendet ai kulturor, bregdetar, liqenor, lumor e malor nga Velipoja në Adriatik, Shiroka e Zogaj buzë liqenit, Sarda në Vau Dejës deri në Razëm, Shkrel, Bogë, Theth, Vermoshi nepër Malësi, shumë e shumë pika të tjera.
Qyteti dhe zonat përreth janë të bekuara me një shumëllojshmëri t’elementeve si natyrore ashtu edhe kulturore. Lagjet më tërheqëse mendohen të jenë Pìaca (është i vetmi qytet në Shqipëri që e quan kështu qendrën e tij), e identifikuar si qendra e qytetit me në qendër statujat e Nanë Terezës dhe Luigj Gurakuqit, dhe Sarreqi, Gjuhadoli (lagje e rrugë vjetër, emri i së cilës paraqet lodhjen e udhëtarëve që vinin nga Kalaja deri aty) dhe një nga rrugët me skenike,- ku shihen arkitekurat e shumta dhe dora e Kólë Idromenos në disa ndërtesa,- që lidh Katedralen nga ana lindore e qytetit me qendrën e qytetit.
Qyteti numëron rreth 100.000 banorë e shquhet për shumëllojshmërinë në kahin urbanistik e arkitektonik, shtëpitë më të vjetra me 1 ose 2 kate kanë bahçe e oborre të gjelbërta e me lloj-lloj lulesh, rrugët janë të ngushta e dikur ishin me gur të kalitur (rrugë të ngushta e të vogla karakteristike, të emëruara nga familje që kanë dhënë kontribut për qytetin apo nga gojdhëna, në rrugët/lagje si Sarreqi, Gjuhadoli, Arra e madhe ndihet akoma aroma e Shkodrës të pikturuar në prozën e Ernest Koliqit apo përnjimend në veprat e Kolë Idromenos e Simon Rrotës [5] . Ndërtimet më të vona të shek. XX ndikohen nga prirjet arkitektonik tradicionale, të racionalizmit italian e të realizmit socialist.
Qyteti i Shkodrës ka rreth 90 monumente kulture ku spikasin në pjesen antiko – mesjetar: Kalaja e Rozafës me gjurmë të rëndësishme kulturore autoktone, muri rrethues i qytetit antik (i përiudhës romake), Muzeu i kështjellës, Kisha e Shën Shtjefnit dhe Kisha e Zojës së Shkodrës, Xhamia e Plumbit,Sahati i Inglizit, Ura e Mesit. Ndërsa në pjesen e re të qytetit ekzistojnë sot pas shkatërrimeve komuniste këto objekte kulti e istitucione fetare: Xhamia “Ebu Beker”, Xhamia e Perashit, Katedralja e Shkodres, Kisha françeskane, Kisha orthodokse (mozaikët e t’cilës i bëri Pjetër Marubi), Medreseja “Sheh Shamia”, Seminari Ndërdioqezan Shqiptar, Kolegji Françeskan – Shkodër, ish-kolegji saverian, Gjimnazi “At Pjetër Meshkalla”, Instituti Katekistik Shqiptar etj; institucionet arsimore dhe kulturore: Universiteti “Luigj Gurakuqi” i themeluar në vitin 1957, Biblioteka “Marin Barleti”, Fototeka “Marubi” – më e madhja në Shqipëri (e rrezikuar të asgjesohet nga mospërkujdesja shtetërore), Teatri Migjeni, Muzeu i rrethit (Shtëpia muze e Oso Kukës), Radio “Shkodra”, Qëndra Kulturore “Don Bosco”, Gjimnazi i Shtetit “28 Nëntori”, Shkolla e Mesme Artistike “Prengë Jakova” etj; institucionet shëndetësore: Spitali Civil “Jorgji Karamitri”, Spitali Pediatrik, Spitali Obstetrik – Gjinekologjik, Spitali Psikiatrik, Spitali infektiv, Sanatoriumi etj; këto vende të rëndësishme: Telekomi, Hotel ” Rozafa”, Hotel “Argenti”, Banka Kombëtare Shqiptare. Liqeni i Shkodrës është liqeni më i madh në gad. e Ballkanit, dhe qendrat e Shirokës e të Zogajt janë shumë të vizituara nga turistë të huaj e vëndas. Rreth 5 km në lindje të Shkodrës gjendet edhe qyteza mesjetare e Drishtit.

Klima
Shkodra ka një klimë mesdhetare, dimër i butë e i lagësht, verë e nxehtë e e thatë. Temperaturat mesatare në vit varjojnë nga 14,5 °C deri ne 16,8 °C. Temperatura në Janar është nga 1,9 °C deri në 9 °C. Mesatarisht aty bie 2000 mm shi në vit, pra një nga zonat më të lagështa të Shqipërisë. Vera është e thatë, zakonisht. Rajoni i Shkodrës është i njohur për burime të pasura hidrografike. Janë lumenjtë Drini, Buna, Shala, Kiri, Cemi, përronj dhe burimet ujore.

Shkodra me 125.000 banorë, është qyteti i 4-të në Shqipëri për nga numri i popullsisë.

http://www.shkoderzemer.com

> ShkoderZemer.com Facebook <

%d blogger cliccano Mi Piace per questo: